Uashingtoni dhe Pekini pranë një marrëveshje tregtare
Uashingtoni dhe Pekini janë pranë një marrëveshjeje tregtare që synon të parandalojë vendosjen e tarifave 100% mbi mallrat kineze, si dhe të sigurojë një shtyrje të kontrolleve të eksportit të metaleve të rralla nga Kina.
Bazat për këtë marrëveshje, që pritet të finalizohet të enjten kur Trump të takojë homologun Shi Xhi Ping në një samit në Korenë e Jugut, janë hedhur nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng.
Diskutimet përfshijnë edhe heqjen e tarifave të larta portuale që Shtetet e Bashkuara vendosën së fundmi për anijet që janë ndërtuar në Kinë ose janë në pronësi të kompanive kineze. Kina u hakmorr duke vendosur tarifa për anijet e ndërtuara në Amerikë dhe për anijet pjesërisht ose tërësisht në pronësi të kompanive ose investitorëve amerikanë.
Bessent theksoi se, nëse arrihet finalizimi i kësaj marrëveshjeje me palën kineze, do të ketë përfitime edhe për fermerët amerikanë, pasi Kina mund të heqë bllokimin e blerjes së sojës nga Shtetet e Bashkuara.
Axhenda e takimit mes dy liderëve do të përfshijë edhe balancimin e tregtisë SHBA–Kinë. Pala kineze i përshkroi bisedimet e fundit në Kuala Lumpur me negociatorët amerikanë si diskutime të sinqerta dhe të thella mbi marrëveshjen tregtare, duke shtuar se të dy palët kishin arritur një konsensus paraprak për një plan ku trajtohen në mënyrë të përshtatshme disa nga shqetësimet e të dyja palëve.
Tensionet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë u shtuan së tepërmi javët e fundit, pasi SHBA-të zgjeruan listën e tyre të zezë të eksporteve, duke goditur aksesin e Kinës në teknologjinë amerikane, ndërsa Kina u kundërpërgjigj me disa masa që përfshinë edhe reduktimin e aksesit amerikan në mineralet e rralla të tokës.
Metalet e rralla të tokës që zotërohen nga kinezët janë thelbësore për SHBA-të në prodhimin e makinave, gjysmëpërçuesve, dronëve, raketave, avionëve luftarakë, tankeve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Para se të ulet me udhëheqësin kinez, deri tani presidenti Trump ka arritur marrëveshje me Kamboxhian, Tajlandën dhe Malajzinë, gjë që, sipas mediave botërore, e ka forcuar pozicionin e tij përpara takimit me Shi Xhi Ping.
Në një farë mënyre, këto shtete sinjalizuan mbështetjen për qëllimin e zotit Trump për të zvogëluar kontrollin e Kinës mbi disa nga materialet më të rëndësishme që përdoren në një gamë të gjerë produktesh, të tilla si bateritë, telefonat inteligjentë dhe avionët luftarakë.
Këto shtete aziatike i kanë premtuar presidentit Trump se do të koordinohen me Uashingtonin për të luftuar praktikat e padrejta tregtare. Sipas analistëve, kjo mund të nënkuptojë që, nëse Shtetet e Bashkuara përdorin sanksione për të penalizuar një entitet kinez, këto vende do të duhet ta respektojnë atë vendimmarrje.
Më e detajuara nga marrëveshjet ishte ajo me Malajzinë, që përfshin një premtim nga ky shtet i Azisë Juglindore për të investuar 70 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Tajlanda ra dakord të blinte 80 aeroplanë amerikanë me vlerë 18.8 miliardë dollarë, dhe Kamboxhia tha se do të bashkëpunonte me Boeing, gjigantin amerikan të hapësirës ajrore, për të mbështetur sektorin e saj të aviacionit.

