75 Mall Live Search
09:22 / E Enjte, 19 Shkurt 2026 / F.R

Uashingtoni i kërkon Iranit marrëveshje, ndërsa rrit prezencën ushtarake

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Irani duhet të jetë “shumë i mençur” dhe të arrinte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e veprimeve të reja ushtarake kundër Republikës Islamike.

Zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi në një konferencë për media se presidenti ende shpreson për një zgjidhje diplomatike lidhur me programin bërthamor të Teheranit, shkruan BBC-i.

Komentet e saj vijnë në një kohë kur SHBA-ja ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon, ndërsa një ditë më parë u raportua për përparim në bisedimet SHBA–Iran të zhvilluara në Gjenevë të Zvicrës.

Mediat amerikane raportuan se Trump ka diskutuar me këshilltarët e tij opsione për sulm, ndërsa një goditje e mundshme amerikane mund të ndodhë që të shtunën. Sipas burimeve të cituara nga rrjeti amerikan CBS News, presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe diskutimet janë në zhvillim e sipër.

Leavitt u tha gazetarëve se ekzistojnë “shumë arsye dhe argumente që mund të mbështesin një sulm ndaj Iranit”, duke iu referuar edhe sulmeve amerikane të muajit qershor ndaj objekteve bërthamore iraniane.

“Irani do të ishte shumë i mençur të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe administratën e tij”, tha ajo.

Edhe pse nga bisedimet indirekte të së martës në Gjenevë nuk u raportua për një marrëveshje përfundimtare, të dyja palët sinjalizuan hapa pozitivë.

Irani njoftoi se është arritur një mirëkuptim mbi “parimet udhëzuese” që do të strukturojnë përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth programit bërthamor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, theksoi se ende mbetet punë për t’u bërë.

Nga ana tjetër, SHBA-ja deklaroi se është shënuar “përparim”, ndërsa ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, vendi që ndërmjetëson bisedimet, tha se negociatat “përfunduan me progres të mirë” në objektivat e përbashkëta dhe çështjet teknike.

Megjithatë, sipas Leavitt, Uashingtoni dhe Teherani mbesin “larg njëri-tjetrit” në disa çështje kyçe. Ajo shtoi se pala iraniane pritet të paraqesë detaje shtesë në javët në vijim, ndërsa presidenti do të vazhdojë ta ndjekë situatën nga afër.

Ndërkohë, SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në ujërat pranë Iranit. Sipas verifikimeve të BBC-së, aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln”, e pajisur me shkatërrues raketorë dhe dhjetëra avionë luftarakë, ndodhet pranë brigjeve iraniane.

Po ashtu, SHBA-ja ka dërguar edhe aeroplanmbajtësen “Gerald R. Ford”, anijen më të madhe luftarake në botë, e cila pritet të mbërrijë në Lindjen e Mesme brenda tri javësh.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi në rrjetin social X, duke publikuar një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale të aeroplanmbajtëses “Ford” në fund të oqeanit. Ai paralajmëroi se më e rrezikshme se vetë anija është “arma që mund ta çojë atë në fund të detit”, duke akuzuar SHBA-në për përpjekje për të diktuar rezultatin e negociatave.

Si kundërpërgjigje ndaj shtimit të pranisë ushtarake amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka nisur një stërvitje detare në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për eksportet e naftës nga shtetet arabe të Gjirit.

Tensionet mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet mes Uashingtonit dhe Teheranit lidhur me programin bërthamor iranian.