13:24 / E Martë, 21 Shkurt 2023 / L K

UBT mban konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”

Kosova ka mundësi unike për të ndikuar në të ardhmen e Kosovës për të ndarë njohuritë dhe pikëpamjet në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor. Kështu u tha në konferencën e organizuar nga UBT me temën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, e vlerësoi lartë kontributin e diasporës për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Tha se nuk janë vetëm kontributdhënës por edhe model i urbanizmit në vendet ku ata jetojnë.

“Jam shumë i nderuar që në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës të organizojmë bashkë me bizneset një konferencë të tillë. Një vend si Kosovë që është i vogël të jetë model. Një koncept i tillë nuk mund të bëhet pa gjithë palët për ta ndërtuar dhe gjeneruar. Një ndërlidhje e tillë krijon një mekanizëm të fortë të zhvillimit. Nëse reflektojmë nëse ndalemi pak e shohim një kontribut se çka ka bërë diaspora për ne, ajo ka bërë shumë. Diaspora jonë nuk është vetëm kontributdhënës por edhe model i urbanizmit në vendet ku ata rrinë. Sot e kemi edhe Jim Xhemën që është model i një suksesi. Sot kemi ftuar diasporën dhe kemi reflektuar me termin e investimeve, teknologjisë, qëndrueshmërisë”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është nder prania e tij sot në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të merrte pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.

“Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar Qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, – është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën”, u shpreh Kurti.

Ai tha se përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat, në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës.

“Në këtë drejtim, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë”, tha ai.

E njëri ndër personalitetet më të shquara shqiptare në botë, Jim Xhema, tha se më e rëndësishme për të rinjtë sot është shkollimi. Ai tha se e mbështet pamasë Qeverinë, pa marrë parasysh i cilës parti është.

“Ju e dini që jeni ardhmëria dhe shpresa jonë pa ju s’ka gjë, asgjë nuk do të arrihet pa ju. Duhet qe të studioni shumë që të arrihet diçka. Ju duhet që t’i merrni studimet shumë seriozisht. Unë personalisht do të qëndrojë i kyçur më ju këtu dhe ngris fonde personalisht që të sigurohem që ne i arrimë qëllimet se bashku.  Kemi arritur shumë por udhëtimi i juaj është shumë i gjatë se kemi pasur kohëra të vështira. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra por kur kjo në fund të ditës të përfundoi dhe jemi të gjithë shqiptarë, jemi një. Unë personalisht dua që ta mbështes qeverinë që u votua nga njerëzit me votë të lirë, nuk më intereson se a është i asaj parti apo i asaj, ai është kryeministri imi”, tha ai.

Elmi Berisha kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA”, tha se kanë kontribuar gjithmonë për shqiptarët dhe do te vazhdojë ta bëjë të njëjtën. Tha se kanë qenë si minishtet i shqiptarëve më atë kohë.

“Është nderë dhe privilegj që e kaluara jonë e ndritshme dhe e dhimbshme, ju e dini të nderuar se vatra është formuar 4 muaj më herët se shteti shqiptarë. Vatra siguroi fonde për shtetin e Shqipërisë për 30 vite, dhe delegoi ambasadore. Vatra ishte minishteti i shqiptarëve më atë kohë. Vatra do të luaj rolin historikë gjithmonë”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës Perparim Rama, vlerësoi lartë kontributin e veprimtarit Xhema. Tha se po mos të ishte Xhema, Kosova nuk do të ishte ku është sot.

“Thellësisht e besoj nuk po them vetëm për me thënë, po të mos ishte Jimi nuk do të ishte Kosova e lirë sot, po të mos ishte Jim Xhema nuk do të ishim për të folur për urbanizmin këtu. E shumë të tjerë që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës”, tha Rama.

Me këtë rast, UBT në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme në mënyrë të vazhdueshme për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, kultivimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për angazhimin në lobin shqiptar në ShBA për mbështetjen për çështjen dhe kauzën shqiptare, ka emëruar njërin prej objekteve në Kampusin Inovativ në Lipjan, me emrin “Jim Xhema Building”.