75 Mall Live Search
18:26 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / MSH1

UBT mbështet rreth 200 studentë me bursa në 18-vjetorin e Pavarësisë

Në një ditë simbolike për vendin, UBT ka zgjedhur të shënojë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke investuar mbi të ardhmen dhe zhvillimin e studentëve të tij. Rreth 200 studentë ekselentë nga të gjitha fakultetet janë mbështetur me bursa studimi si vlerësim për arritjet dhe përkushtimin e tyre akademik, ndërsa dhjetra studentë të tjerë kanë përfituar mbështetje nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”.

Studentët përfitues, me notë mesatare mbi 9.0, do të kenë tashmë një mbështetje konkrete financiare që do t’u lehtësojë rrugëtimin akademik dhe profesional. Ky veprim u konsiderua jo vetëm si shpërblim për suksesin individual, por edhe si një mesazh motivues për të gjithë të rinjtë që synojnë rezultate të larta.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se investimi në dije është forma më e qëndrueshme e kontributit për shtetin. Ai u shpreh se UBT mbetet i përkushtuar në krijimin e një mjedisi që nxit inovacionin, zhvillimin profesional dhe përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Përveç bursave të ndara në këtë përvjetor, UBT çdo vit akordon bursa në vlerë totale prej rreth 2 milionë eurosh, duke mbështetur qindra të rinj nga Kosova dhe rajoni. Kjo politikë mbështetëse ka ndikuar në rritjen e qasjes në arsim cilësor dhe në fuqizimin e brezave të rinj në më shumë se 50 fusha studimi.

Në të njëjtën ceremoni u bë e ditur edhe nënshkrimi i thirrjeve akademike për stafin profesorësh, si pjesë e strategjisë për rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e kapaciteteve akademike. Me këtë hap, UBT synon të forcojë më tej pozitën e tij si institucion lider në arsimin e lartë dhe inovacion.

Në këtë mënyrë, përvjetori i Pavarësisë nuk u shënua vetëm si një datë historike, por si një angazhim konkret për të ndërtuar të ardhmen përmes dijes dhe mbështetjes së talenteve të reja.