16:28 / E Martë, 22 Gusht 2023 / MSH

UBT ofron programin master Planifikim Urban dhe Zhvillim i Qëndrueshëm, i vetmi në Kosovë dedikuar këtyre fushave

Planifikimi urban është një instrument i vlefshëm dhe shumë i rëndësishëm për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm urban, socio-ekonomik, mjedisor, si dhe infrastrukturor. Ai ndihmon në shfrytëzimin racional të resurseve për zhvillim, si dhe shpenzim efikas të buxhetit dhe kapitalit për investime në infrastrukturë dhe shërbime, duke balancuar kështu kërkesat për rritje me nevojën për ruajtje të resurseve dhe mbrojtje të mjedisit.

UBT ofron programin e vetëm universitar të dedikuar ekskluzivisht Planifikimit Urban dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm. Kjo për shkak se fushat dhe tematikat e trajtuara nga programi përbëjnë një interes të veçantë në perspektivën e zhvillimit dhe menaxhimit të qyteteve.

Ky program studimi ka një përbërje unike kurrikulare e cila është e dallueshme nga disiplinat e tjera të arsimit universitar. Ajo është krijuar për të formuar profesionistë, të cilët mund të trajtojnë probleme komplekse të projektimit përmes ofrimit të zgjidhjeve bazuar në aftësitë e nevojshme të arritura përmes kurseve plotësuese dhe ndërdisiplinore.

Studentët në këtë program studimi të nivelit master formësohen si specialistë të ardhshëm të planifikimit urban dhe hapësinor.

Programi është dizajnuar në atë mënyrë që studentët të kenë mundësi t’i kombinojnë njohuritë teorike me punë praktike në planifikim dhe zhvillim të qëndrueshëm urban dhe hapësinor. Në këtë mënyrë studentët do të aftësohen për hartimin dhe përgatitjen e planeve, strategjive dhe projekteve konkrete që do ta bëjnë qytetin dhe mjedisin urban më të mirë për të jetuar dhe do ta rrisin kualitetin e jetesës në qytete.

Në këtë mënyrë, profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe do të mund të:

– Dizajnojnë qytete dhe mjedise të qëndrueshme urbane të bazuar në parimet e qytetit funksional, rezilient dhe miqësor me mjedisin, si dhe në estetikë urbane;

– Analizojnë dinamikat ekonomike dhe sociale të qyteteve dhe hapësirave;

– Fitojnë njohuri mbi legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar që trajton fushën e planifikimit urban dhe hapësinor;

– Fitojnë njohuri të thelluara mbi teoritë dhe konceptet bashkëkohore të planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban;

– Të fokusohen në tematikat me rëndësi strategjike si: Rezilience, Ekonomia Qarkore, Energjia e Ripërtëritshme, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe identitetit urban, qytetet e mençura, etj;

– Aftësohen për trajtimin e sektorëve me rëndësi, si: transporti dhe infrastruktura urbane, dizajnimi i hapësirave publike dhe hapësirave të gjelbëruara, shfrytëzimi i tokës (Land Use), ri-destinimi dhe ri-gjenerimi urban;

– Aftësohen për përdorimin e mjeteve dhe teknologjisë bashkëkohore (GIS, Dronë, GPS) për analiza urbane dhe planifikim urban;

– Aftësohen për gjenerimin e hartave dhe instrumenteve tjera përbërëse të Planeve Zhvillimore, Strategjive dhe Planeve Rregulluese Urbane.

Të diplomuarit nga ky program kanë mundësi të punësohen në institucione publike, si: Ministria e Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Pushtetit Lokal, si dhe në institucione të nivelit lokal/komuna përkatësisht në Drejtoritë për Urbanizëm, Mbrojtje të Mjedisit, Kadastër dhe Shërbime Publike.

Ata po ashtu kanë mundësi të punojnë në studio dhe kompani private të fokusuar në Arkitekturë dhe Planifikim Urban, hartimin e planeve hapësinore, urbane dhe planeve të hollësishme urbane, agjenci dhe kompani private të fokusuara në hulumtime dhe strategji në fushat e mjedisit, planifikimit urban, zhvillimit të qëndrueshëm, transportit dhe komunikacionit, energji të ripërtërishme, etj.

Profesionistët e ardhshëm do të kenë mundësi po ashtu të punojnë për organizata ndërkombëtare aktive në Kosovë, si: UN HABITAT, UNDP, SIDA, USAID, GIZ, SDC, TIKA.

Koncepti dhe struktura e programit është dizajnuar duke u bazuar në konceptet e programeve të ngjashme në MIT (Massachusetts Institute of Technology), Hafencity Universitat në Hamburg, TU Wien, Mimar Sinan Fine Arts University nga Stambolli, ndërsa si i tillë synon të përgatisë gjeneratën e re të profesionistëve të gatshëm t’u përgjigjen nevojave lokale, por edhe të punojnë në tregun global të punës.