75 Mall Live Search
09:26 / E Diele, 23 Qershor 2024 / Gj. Sh

UEFA dënon Kroacinë për sjelljen e tifozëve në ndeshjen kundër Shqipërisë

UEFA ka gjobitur Federatën Kroate të Futbollit (HNS) për incidentet që ndodhën në tribuna gjatë barazimit 2-2 të Kroacisë me Shqipërinë në EURO 2024.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të HNS, Kroacia është dënuar me një gjobë totale prej 28,000 euro, për shkak të “ndezjes së fishekzjarreve dhe hedhjes së objekteve nga disa tifozë kroatë gjatë ndeshjes së luajtur më 19 qershor në Hamburg”, shkruan IndeksOnline.

”Komisioni Disiplinor i Etikës së Organizatës Evropiane të Futbollit, UEFA, ka marrë një vendim për dënimin e Federatës Kroate të Futbollit për incidentet në ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Gjermanisë.

Federata Kroate e Futbollit u gjobit me 28,000 euro për ndezjen e pishtarëve (17,500 euro) dhe hedhjen e sendeve (10,500 euro) nga disa tifozë kroatë gjatë ndeshjes Kroaci – Shqipëri të luajtur më 19 qershor në Hamburg.

Federata Kroate e Futbollit falënderon tifozët kroatë për mbështetjen e shkëlqyer dhe u bën thirrje edhe një herë që të përmbahen nga ndezja dhe hedhja e fishekëve.”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/