75 Mall Live Search
17:44 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / Gj Sh

UEFA e inspekton Camp Nou-n

Barcelona duket se do të vonojë për herë të katërt rikthimin në “Camp Nou”, pasi stadiumi është ende shumë prapa afateve të planifikuara. Javën e ardhshme, klubi katalanas pritet të marrë vendime të rëndësishme për rikthimin në shtëpinë e tyre, megjithatë tashmë ka përgatitur një plan rezervë.

Blaugranat ende nuk kanë marrë licencën për rihapjen e “Camp Nou” nga Këshilli i Qytetit, ndonëse kanë mbetur vetëm tre javë para ndeshjes së parë të La Ligës në shtëpi. Nëse licenca nuk miratohet në kohë – e cila fillimisht është vetëm për 27 mijë tifozë – Barcelona mund të detyrohet ta luajë hapjen në “Estadi Johan Cruyff” (kapacitet 6 mijë) ose edhe pa praninë e publikut.

Të mërkurën, Barcelona siguroi mundësinë që të luajë në “Montjuic” deri në shkurt, si plan rezervë për ndeshjet e La Ligës dhe të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, në fundjavën e ndeshjes së parë në shtëpi kundër Valencias, “Montjuic” do të jetë i zënë nga koncerti i Post Malone, gjë që e bën të pamundur përdorimin e tij.

“Do të duhet të përdoret edhe për disa muaj të tjerë,” deklaroi Albert Batlle, zëvendës i Sigurisë në Këshillin e Qytetit për RAC1 (përmes Sport), duke iu referuar “Estadi Olímpic Lluís Companys”.
“Është e arsyeshme dhe e kujdesshme të fillojmë të mendojmë për alternativa, sepse nuk ka nevojë të nxitohemi. Fatmirësisht, Barcelona ka një zëvendësues – Stadiumin Olimpik.”

Të enjten, zyrtarët e UEFA-s u mirëpritën në “Camp Nou” për të inspektuar gjendjen aktuale të punimeve, para një rikthimi të mundshëm. Barcelona ka afat deri më 28 gusht për t’i njoftuar UEFA-n se në cilin stadium do të luajë deri në shkurt, gjatë fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, që do të thotë se licenca duhet të merret deri të enjten e ardhshme. Një ditë më parë, problemet me sistemin e drenazhimit u bënë të dukshme pas pamjeve të dalura nga stadiumi pas reshjeve të dendura të shiut.

Pengesat kryesore duken të jenë çështjet e sigurisë, të cilat po ndalojnë Barcelonën të ecë përpara. Batlle konfirmoi se klubi “ende nuk ka dorëzuar certifikatën e përfundimit të punimeve”, dokument kyç për aplikimin e licencës.

“Sot, kushtet për aplikimin për lejen fillestare të hapjes nuk janë përmbushur. Nuk duhet të ushtrojmë presion mbi afatet, por mbi kushtet e hapjes, të cilat duhet të garantohen me siguri të plotë,” tha ai.

Data fillestare e hapjes ishte parashikuar për fundin e nëntorit të kaluar, ndërsa më pas u dhanë afate të reja në shkurt, maj dhe së fundi gusht. Ky vonim i ri përbën një tjetër goditje për klubin, si në aspektin imazhit ashtu edhe në atë financiar. Barcelona tashmë duhet të bëjë llogaritë mes diferencës që sjell loja në “Montjuic” me kapacitet 56 mijë, krahasuar me “Camp Nou” – fillimisht me 27 mijë, më pas me 45 mijë tifozë, e deri tek hapja e dy niveleve të para me 60 mijë vende.