75 Mall Live Search
20:53 / E Enjte, 30 Maj 2019 / indeksADMonline

UEFA sfidon Klopp dhe Pochettinon: Gjermani qesh me lot, argjentinasi zemërohet me Lamelan

Tottenham dhe Liverpool do të përballen në finalen e Champions League këtë të shtunë. Yjet që do të zbresin në fushë kanë qenë dikur fëmijë dhe ndoshta nuk do ta kenë imagjinuar kurrë gjatë fëmijërisë së tyre se do të arrinin të luanin për një trofe kaq të rëndësishëm.

Në krah të këtyre ish-fëmijë do të jenë trajnerët e tyre, Mauricio Pochettino dhe Jurgen Klopp. Dhe UEFA ka publikuar në profilet e saj në rrjetet sociale dy video, ku dy trajnerëve u tregohen disa fotografi të futbollistëve të tyre kur kanë qenë fëmijë dhe u kërkohet të gjejnë se kush janë. Reagimet? Klopp i ka qëndruar besnik personazhit të tij dhe është argëtuar shumë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Poch, që është zemëruar me një nga lojtarët e tij.

“BABY REDS” – Fëmija i parë që i tregohet gjermanit është Trent Alexander-Arnold, “babai, mamaja dhe gjyshi i goditjes nga këndi më dinake në botë”. Trajneri i “Të Kuqve” i është referuar episodit të ndeshjes Liverpool-Barcelona. Më pas i ka takuar Shaqirit dhe Klopp ka bërë “mea culpa”. “Njerëzit thonë se e aktivizoj pak. Ndoshta e mendon edhe ai…”.

Kur ka marrë në dorë fotografinë e një Van Dijk-u të vogël me flokë të gjatë, Klopp nuk i ka mbajtur dot të qeshurat: “Duket si motra e Virgil! Ishte pak i vogël fizikisht, ë?”. Imazhi i Sturridge e ka vënë në vështirësi, me trajnerin që e ka ngatërruar me Wijnaldum, ndërsa e ka pasur shumë të lehtë të njohë Milner.

“BABY SPURS” – I njëjti test ka qenë edhe për Pochettino-n, i cili është argëtuar duke njohur Kane (“një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë”) dhe Llorente-n, ndërsa e ka pasur më të vështirë me Eriksen (“Kush është ky?”) dhe Lloris. Kështu, edhe trajneri i Tottenham ka qeshur pak, deri në momentin kur ka ardhur radha e Lamela-s.

Lojtari argjentinas është shfaqur duke mbajtur një fanellë të Barcelona-s në fotografi. E papranueshme për teknikun, i cili ka qenë i lidhur për pjesën më të madhe të karrierës së tij me Espanyol-in. “Tani kam ndryshuar mendim për të”, ka thënë Poch, para se të shpërthente në të qeshura. Si do të reagonte nëse një tifoz i Barçës do t’i dhuronte Champions-in?