75 Mall Live Search
22:34 / E Diele, 21 Shtator 2025 / F.R

Ujë, ngrohje dhe kyçje në autostradë, tri premtimet madhore të Enver Halitit për Ferizajin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, Enver Haliti, ka prezantuar tri projektet kryesore që synon t’i realizojë nëse fiton drejtimin e komunës.

Haliti tha se një nga prioritetet e tij do të jetë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, përmes ndërtimit të digës së Firajës në lumin Lepenc, ndërtimit të një fabrike të re për përpunimin e ujit dhe integrimit të plotë të rrjetit të ujësjellësit. Investimi i përgjithshëm në këtë sektor kap shifrën prej 70 milionë eurosh.

Një tjetër projekt i paralajmëruar është ndërtimi i një kyçjeje të re në autostradën “Arbën Xhaferi” në afërsi të fshatit Sazli, e cila do të lidhet me unazën e jashtme të qytetit. Ky investim, që pritet të kushtojë rreth 40 milionë euro, sipas Halitit do të hapë mundësi të reja për zhvillim urban dhe ekonomik në Ferizaj.

Gjithashtu, Haliti premtoi edhe ndërtimin e rrjetit të ngrohjes qendrore për qytetin, projekt i cili vlerësohet në 70 milionë euro dhe që synon të ulë shpenzimet e familjeve për ngrohje, duke ofruar edhe furnizim me ujë të ngrohtë gjatë gjithë vitit.

Sipas tij, këto tri projekte madhore do të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve dhe do ta kthejnë Ferizajn në një qytet modern me infrastrukturë të zhvilluar./IndeksOnline/