Kapiteni i Kosovës: Sporti është më i fortë se politika, ndaj Spanjës do të lëmë një imazh të mirë

Samir Ujkani ka folur për gazetën e njohur në Kataluni “Marca”.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës ka folur për mediat në Spanjë, një ditë para ndeshjes ndaj Spanjës, të vlefshme për fazën parakualifikuese për kupën e botës “Katari 2022”, shkruan IndeksOnline
Ujkani komenton këtë takim që u politizua shumë nga spanjollët, madje kjo e fundit iu qas Kosovës si “territor”.
“Sporti, për fat të mirë është më i fortë se politika. Gjithçka ka shkuar mirë. Me të gjitha problemet që ka kjo botë, futbolli duhet të shërbejë si lehtësim, qetësi”, ka thënë Ujkani.

Lojtari i klubit italian, Torino beson se “Dardanët” do të lënë imazh të mirë në ndeshjen e nesërme ndaj Spanjës.
“Një ndeshje historike, kundër një fuqie botërore. Ne kemi besim që do të lëmë imazh të mirë”, vazhdoi portieri i Kosovës.
Objektivi i Kosovës në grup, sipas Samir Ujkanit:
“Le të shohim çfarë do të bëjmë kundër Spanjës, na duhet një mrekulli sepse është favoriti i grupit pa dyshim. Qëllimi ynë është që të përfundojmë sa më lartë. Ne jemi një ekip i ri dhe me pak përvojë, por kemi lojtarë që luajnë në ekipe shumë të mira evropiane. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën”, përfundoi Ujkani.
Kujtojmë se Kosova ndeshjen ndaj Spanjës e zhvillon në Sevilla nesër nga ora 20:45./IndeksOnline/