Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ukë Rugova ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Ai ka thënë se është i nderuar që do të ketë mundësi që i shërbej me përgjegjësi qytetarëve të Kosovës në mënyre që të fuqizojnë edhe më shumë shtetin dhe institucionet e Kosovës.
Rugova shkruan se me punë dhe angazhim të palodhshëm do ta rikthejnë LDK-në prapë si parti fituese ashtu siç e la presidenti Rugova.
Postim i i plotë i Rugovës:
Falënderoj të gjithë 126,102 votuesit qëndrestarë të vërtetë të LDK-së për besimin që e patën sërish për LDK. I falënderoj që na përkrahën edhe përgjatë fushatës kur ishte mot me mjegull dhe me temperatura të ulta gjithmonë sallat ishin të mbushura me aktivistë e simpatizantë besnikë të LDK-së që ishin aty për të na dhënë mbështetjen e tyre.
Tashmë si deputet i zgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës me besimin e mbështetjen Tuaj jam i nderuar dhe i përulur që do të kem mundësi të ju shërbej me përgjegjësi qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë që të fuqizojmë edhe më shumë shtetin dhe institucionet e Kosovës. Me punë dhe angazhim të palodhshëm do të rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës prapë si parti fituese ashtu siç e la Presidenti ynë historik Dr. Ibrahim Rugova.
Këtë fushatë për fat të mirë gjuha e përdorur nga të gjitha subjektet politike ishte mjaft e matur e tash pasi populli i Kosovës ka folur me 28 dhjetor 2025 është koha që të tregojmë përgjegjësi e pjekuri politike që të angazhohemi për ndërtimin e shpejtë të institucioneve të Republikës sonë. Nuk është koha të merremi me vehten, por tash duhet të veprojmë me përgjegjësi për të tejkaluar sfidat e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë.
Me respekt e falënderim të përhershëm ndaj gjithë qytetarëve për besimin e përgjegjësinë e dhënë 🙏
Do të jam në shërbimin Tuaj me përkushtimin më të madh,
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!
Zoti le të vazhdojë të bekojë Kosovën dhe miqësinë e saj të përhershme me ShBA dhe BE!
Ukë Ibrahim Rugova