07:52 / E Premte, 02 Dhjetor 2022 / B O

Ukraina bën me dije humbjet në luftë: Janë vrarë deri në 13 mijë ushtarë

Deri në 13,000 ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus, ka bërë me dije këhsilltari i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak. Ai tha se midis 10,000 dhe 13,000 trupa kanë vdekur.

Është e rrallë që Ukraina të japë shifra për viktimat dhe komentet e Podolyak nuk janë konfirmuar nga ushtria e vendit.

Në qershor ai tha se midis 100 dhe 200 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë.

Muajin e kaluar, gjenerali më i lartë amerikan, Mark Milley, tha se rreth 100,000 ushtarë rusë dhe 100,000 ukrainas ishin vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës.

Në një fjalim video të mërkurën, kryetarja e Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen tha se 100,000 trupa ukrainase ishin vrarë. Megjithatë, një zëdhënës i Komisionit të BE-së më vonë sqaroi se ky ishte një gabim, dhe shifra i referohej të vrarëve dhe të plagosurve.

Duke folur për kanalin televiziv ukrainas Channel 24, Podolyak tha se Kievi “po flet hapur për numrin e të vrarëve.”

“Ne kemi vlerësime zyrtare nga Shtabi i Përgjithshëm, vlerësime zyrtare nga komandanti i përgjithshëm (Zelensky) dhe ato variojnë nga 10,000 deri në 12,500-13,000 të vrarë”, tha ai.

Ai shtoi se numri i civilëve të vrarë mund të jetë i rëndësishëm. BBC News kishte identifikuar rreth 3,600 vdekje civile që nga mesi i qershorit. Shifra tani ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë.

Von der Leyen tha se 20,000 civilë ukrainas ishin vrarë. Ndërsa ky numër nuk u tërhoq nga Komisioni i BE-së, ai u hoq nga versionet e mëvonshme të videos së bashku me pohimin se 100,000 trupa ishin vrarë.

Podolyak gjithashtu sugjeroi se deri në 100,000 ushtarë rusë ishin vrarë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, dhe se 100,000 deri në 150,000 të tjerë ishin plagosur, ose ishin të zhdukur ose të paaftë për t’u kthyer në luftime.