Ukraina dënon sulmet ruse në nënstacionet për sigurinë bërthamore
Ministria e Jashtme ukrainase dënoi sulmet nga forcat ruse në nënstacionet që janë jetësore për furnizimin me energji elektrike të objekteve bërthamore të vendit.
“Sulmet e qëllimshme ndaj infrastrukturës civile të energjisë që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të objekteve bërthamore mbajnë karakteristikat e terrorizmit bërthamor dhe përbëjnë një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme.
Ndërkohë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dha më herët alarmin për operacionet ushtarake “që shkaktuan dëme në nënstacionet jetësore për sigurinë bërthamore në Ukrainë”.
Moska dhe Kievi shpesh akuzojnë njëra-tjetrën për sulme që rrezikojnë sigurinë e centraleve bërthamore në Ukrainë, veçanërisht atë në Zaporizhia.
Centrali bërthamor i Zaporizhias, më i madhi në Evropë, u sekuestrua nga forcat ruse në mars të vitit 2022, menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

