20:55 / E Shtunë, 15 Qershor 2019 / indeksADMonline

Ukraina fiton Botërorin U-20

Ukraina ka mundur 3-1 në finale Korenë e Jugut dhe ka fituar për herë të parë në historinë e saj Botërorin Under 20.

Një fitore që ka ardhur me përmbysje për skuadrën e Petrakov. Në fakt, ka qenë Korea e Jugut që ka zhbllokuar ndeshjen pas vetëm pesë minutash me Lee Kang-in, talenti 18-vjeçar i Valencia-s, i cili ka një klauzolë 80 milionë euro për prishjen e kontratës.

Ai mund të ngushëllohet me faktin se ka fituar Topin e Artë të turneut të zhvilluar në Poloni.

Ëndrra e koreano-jugorëve, të cilët ishin gjithashtu në kërkim të Botërorit të parë Under 20 në historinë e tyre, është shuar nga Supriaga, i cili ka barazuar në të 34-ën për ukrainasit dhe ka kompletuar përmbysjen ne të 53-ën.

Goli që i ka siguruar fitoren Ukrainës është shënuar në minutën e 89-të nga Tsitaishvili.