Ukraina kërkon takim me Rusinë brenda 48 orëve

Ukraina ka bërë thirrje për një takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të një grupi kyç të sigurisë evropiane lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.
Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar ngritjen e trupave pranë kufijve, shkruan BBC.
Ai tha se hapi tjetër ishte kërkesa për një takim brenda 48 orëve të ardhshme për transparencë në lidhje me planet e Rusisë.
Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100,000 ushtarëve në kufijtë e Ukrainës, transmeton Indeksonline.
Por me SHBA-të që thonë se Moska mund të fillojë me bombardime ajrore në çdo kohë, më shumë se një duzinë vendesh u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.
Ukraina ka bërë një kërkesë nëpërmjet Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që Rusia të shpjegojë grumbullimin e trupave të saj.
Sipas Dokumentit të Vjenës, pjesë e të cilit është edhe Rusia, anëtarët e OSBE-së mund të kërkojnë informacion mbi aktivitetet ushtarake të një shteti anëtar.