Ukraina refuzon avionët ushtarakë të Francës, thotë se janë të vjetër
Marrëdhënia e Kievit me Perëndimin ka marrë në javët e fundit disa goditje, teksa amerikanët treguan në OKB se nuk janë të gatshëm të zbrazin më arkën për të financuar luftën kundër Rusisë, ndërsa Polonia vendosi një embargo të njëanshme për grurin ukrainas.
E teksa krisjet e Kievit me partnerët sa vjen e bëhen më evidente, ndërsa Zelensky “gjezdis” globin për të kërkuar më shumë dhe para e armë, duket se ukrainasit ia lejojnë vetes komoditetin për “t’i bërë naze” ndihmave.
Precedenti i parë në këtë drejtim është shënuar me një aleat si Franca, e cila kishte parashikuar të dërgonte avionët luftarakë të tipit “Mirage 2000” në Ukrainë.
Por i pyetur për gjestin bujar të Parisit zyrtar, përfaqësuesi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ilkhat, iu përgjigj gazetarëve në një konferencë për shtyp me një ‘JO’ kategorike, duke thënë se avionët e famshëm nuk u shërbejnë nevojave operacionale të ukrainasve.
Zyrtari ukrainas u përpoq të sqaronte se vendi i tij ka nevojë për të gjitha llojet e ndihmës ushtarake, por gjithashtu ka nevojë për avionë luftarakë modernë.
Kjo është arsyeja pse sipas tij avionë si Mirage 2000 ose A-10 nuk i plotësojnë nevojat e Forcave Ajrore të Ukrainës.