Ukraina thirrje të huajve: Bashkojuni luftës sonë kundër kriminelëve rusë të luftës

Kievi ka thënë se po themelon një legjion ndërkombëtar për të huajt që dëshirojnë të vijnë vullnetarë në mbrojtje të Ukrainës.
“Kjo do të jetë prova kyçe për mbështetjen tuaj ndaj vendit tonë”, tha Zelensky në një deklaratë në rrjetet sociale.
“Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po i drejtohet të gjithë qytetarëve të botës, miqve të Ukrainës, paqes dhe demokracisë.
Çdokush që dëshiron t’i bashkohet mbrojtjes së Ukrainës, Europës dhe botës mund të vijë dhe luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve të luftës rusë”, thuhet në deklaratë.
Në një postim më të detajuar thuhet se qytetarët e huaj janë ligjërisht të lejuar që t’i bashkohen mbrojtjes së Ukrainës. Lideri i Ukrainës ka thënë shpesh që vendi i tij është lënë vetëm për ta mbrojtur veten.
Aleatët perëndimore po dërgojnë armë dhe municione, megjithatë deri më tani kanë refuzuar që të futen në luftë. Kjo edhe për faktin se Ukraina nuk është pjesë e aleancës së NATO-s.
Ndërkohë ministri i Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se bota nuk e besonte këtë rezistencë të Ukrainës.