Ukraina thotë se është arritur ‘mirëkuptim’ mbi planin e paqes të SHBA-së
Ukraina deklaroi se ka arritur një marrëveshje të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, për një marrëveshje paqeje që synonte t’i jepte fund luftës me Rusinë.
Propozimi bazohet në një plan prej 28 pikash që Shtetet e Bashkuara ia paraqitën Kievit javën e kaluar, mbi të cilin zyrtarët amerikanë dhe ukrainas punuan gjatë bisedimeve të fundjavës në Gjenevë.
Në një postim në mediat sociale, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se plani origjinal ishte “përmirësuar, me kontribut shtesë nga të dyja palët”.
Ai tha se kishte udhëzuar të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, të takohej me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë javën e ardhshme, ndërsa sekretari i ushtrisë i SHBA-së, Dan Driscoll, pritet të takohet me udhëheqësit ukrainas këtë javë, shkruan BBC.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se ishte gati të takohej me Trumpin për të diskutuar “pikat e ndjeshme” të pazgjidhura, me administratën e tij që synon një takim para fundit të muajit.
“Unë mbështetem në bashkëpunim të mëtejshëm aktiv me palën amerikane dhe me presidentin Trump. Shumë varet nga Amerika, sepse Rusia i kushton vëmendjen më të madhe forcës amerikane”, tha ai.
Një ditë më parë, Zelensky tha se plani me 28 pika ishte zvogëluar, me disa dispozita të hequra.
Trump shkroi në rrjetet sociale se mezi priste të takohej me presidentët Zelensky dhe Putin “së shpejti, por vetëm kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë përfundimtare ose, në fazat e saj përfundimtare”.

