Ukraina thotë se Rusia ka hyrë në rajonin kyç të Dnipropetrovskut

Forcat ukrainase kanë pranuar se ushtria ruse ka kaluar kufirin lindor të rajonit Dnipropetrovsk, një zonë industriale kyçe në Ukrainën qendrore-lindore, dhe po përpiqet të krijojë një bazë të qëndrueshme në territorin e ri.
“Ky është sulmi i parë i një shkalle kaq të gjerë në rajonin e Dnipropetrovskut“, deklaroi Viktor Trehubov, përfaqësues i Grupit Operativo-Strategjik të Trupave të Dnipro-s për BBC, duke theksuar se përparimi rus është ndalur për momentin.
Rusia ka pretenduar prej muajsh se ka hyrë në këtë rajon, ndërsa trupat e saj përpiqen të shtyjnë vijat e frontit përtej rajonit të Donetskut, duke avancuar më thellë në territorin ukrainas.
Në fillim të qershorit, zyrtarët rusë deklaruan se një ofensivë e re kishte nisur në Dnipropetrovsk, por raportet më të fundit nga Ukraina thanë se trupat ruse me zor kanë kaluar kufirin rajonal.
Çdo përparim rus në Dnipropetrovsk do të ishte një goditje morale për Ukrainën, veçanërisht në një kohë kur përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund luftës vijojnë.
Sipas projektit ukrainas të hartëzimit DeepState, Rusia ka pushtuar dy fshatra në brendësi të rajonit, Zaporizke dhe Novohryhorivka.
Megjithatë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës mohoi këto pretendime. Në një deklaratë zyrtare, ushtria ukrainase tha se “vazhdon të kontrollojë fshatin Zaporizke”, dhe se “luftime aktive po zhvillohen edhe në zonën e fshatit Novohryhorivka.”
Ndryshe nga Donetsku dhe katër rajone të tjera lindore të Ukrainës, Moska nuk e ka shpallur Dnipropetrovskun si territor të saj, megjithatë qytetet kryesore të rajonit, përfshirë kryeqytetin rajonal Dnipro, janë goditur në mënyrë të përsëritur nga sulmet ruse.
Para fillimit të luftës, Dnipropetrovsku kishte një popullsi mbi 3 milionë banorë dhe ishte qendra e dytë më e madhe industriale në Ukrainë, pas rajonit të Donbasit, që përfshin Donetskun dhe Luhanskun.
Situata në terren mbetet e paqëndrueshme dhe e tensionuar, ndërsa përleshjet në frontin lindor vazhdojnë pa ndërprerje.