75 Mall Live Search
23:07 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / Burim

Ukrainë, rikthehet pas një muaji energjia elektrike në centralin bërthamor të Zaporizha

Energjia elektrike në centralin bërthamor të Zaporizha në Ukrainë është rikthyer pas një ndërprerjeje njëmujore që nga pushtimi rus, deklaroi sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (AIEA).

“Rikthimi i energjisë elektrike në centralin e pushtuar nga forcat ruse, pas riparimit të një linje falë armëpushimit lokal, është një hap vendimtar për sigurinë bërthamore”, theksoi agjencia në një mesazh në X.

AIEA shtoi se vazhdon të punojë me Rusinë dhe Ukrainën për të mundësuar rivendosjen e një linje tjetër energjie.

Shmangia e një katastrofe bërthamore

AIEA njoftoi të shtunën fillimin e punës për riparimin e linjave te dëmtuara të energjisë.

Gjashtë reaktorët e centralit, te vendosur përgjatë lumit Dniepër pranë qytetit të Enerhodarit , të cilët prodhonin rreth një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës para luftës, u mbyllën pas marrjes nën kontroll nga Moska.

Megjithatë, centrali ka nevojë për energji elektrike për të mirëmbajtur sistemet e tij të ftohjes dhe sigurisë dhe për të shmangur një katastrofë.

Në fillim të tetorit, Moska konfirmoi se situata ishte nën kontroll në Zaporizha, pas shqetësimeve të shprehura nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për rrezikimin e një katastrofe bërthamore me sulmet pranë centralit.