23:20 / E Shtunë, 15 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Uldedaj shpallet kampion bote për të rinj në WBO

Boksieri Jurgen Uldedaj ka fituar titullin botëror WBO në kategorinë “Cruiser” pasi është përballur me argjentinasin Nicolas Leandro Arganaraz në sallën “Feti Borova” mbrëmjen e së shtunës.

Boksieri lezhjan mbante rekordin 9 fitore dhe asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist, ndërsa ndeshja e mbrëmjes së sotme është e para në karrierën e tij si profesionist në Shqipëri dhe regjistron fitoren e 10-të për të.

Raundi i parë ishte intensiv, me të dy boksierët që grushtonin, me një epërsi të lehtë të argjentinasit. Edhe i dyti dukej si një raund i barabartë, ku Uldedaj ishte më mirë në gjuajtje në distancë ndërsa argjentinasi kishte epërsi në gjuajtjet afër. Lufta në ring ka vijuar e fortë, me agresivitet, raundi i tretë mund të ketë sjell një epërsi të lehtë për shqiptarin por sërish sfida ishte e ekuilibruar. Raundi i katërt do të sillte “knock down-in” e parë në favor të boksierit shqiptar, por kjo nuk uli intensitetin e agresivitetit e kundërshtarit.

Raundi i pestë rezultoi po aq i fortë dhe agresiv sa të gjithë raundet e tjera dhe shenjat e lodhjes nuk u ndjen tek asnjëri nga boksierët. I gjashti ishte në favor të Leandro Arganaraz i cili nxori në pah shpirtin argjentinas të boksimit. I shtati solli më superior 21 vjeçarin shqiptar.

Raundi tjetër rezultoi një luftë e ekuilibruar, por Uldedaj pati një rritje të intensitetit të gjuajtjeve. Ndeshja ishte e fortë, vijoi e tillë edhe në raundin e parafundit, duhet rikujtuar se asnjë nga dy boksierët nuk kishte marrë asnjë humbje deri tani.

Raundi i fundit ishte raundi vendimtar që i dhuroi titullin kampion botë për të rinj boksierit shqiptar Jurgen Uldedaj, pasi fitoi me pikë 98-91 ndaj rivalit Nicolas Arganaraz.