Ulen pak temperaturat maksimale

Gjatë ditëve të fundit, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, territori ynë ishte përfshirë nga një valë e të nxehtit me temperatura maksimale ditore që janë luhatur ndërmjet 29-39 gradë Celsius.
IHMK thotë se kjo situatë meteorologjike është karakterizuar nga masat ajrore të nxehta, të cilat kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të temperaturave mbi vlerat e mesatareve për këtë periudhë të vitit.
Por, sipas parashikimeve sinoptike, gjatë fundjavës pritet një ndryshim i theksuar i kushteve atmosferike, i cili do të shoqërohet me një rënie të ndjeshme të temperaturave maksimale.
“Ky ndryshim lidhet me depërtimin e masave ajrore më të freskëta nga veriu dhe veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të ndikojnë në stabilizimin gradual të motit”, thotë IHMK-ja.
Instituti thotë se të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29radë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3m/s”.
“Të dielën do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-30gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimi me shpejtësi 1-4m/s”, tha IHMK-ja.
Me gjithë uljen e temperaturave maksimale këtë fundjavë, instituti thotë se indeksi UV mbetet i lartë, prandaj këshillat e IKSHP-së mbeten në fuqi edhe për ditët e ardhshme.