UNDP po mbështet në vazhdimësi grupet vulnerable në punësim
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), nëpërmjet Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2) në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit të Kosovës tash e sa vite po mbështet punëkërkuesit në Kosovë, nëpërmjet programeve të ndryshme të punësimit.
Ndërkaq, UNDP në vazhdimësi mbështet edhe grupet vulnerable në Kosovë tash e sa vite. Një nga ata që ka gjetur mbështetje është edhe Ukshin Schaefer nga Gjakova, pjesë e komunitetin egjiptian në Kosovë i cili vitin e kaluar ka marrë mbështetje nga UNDP dhe APRK nëpërmjet programit të Vetëpunësimit.
Sot ai drejton biznesin që merret me përgatitjen e ushqimeve të shpejta, të cilin e ka hapur në fillim të këtij viti, falë mbështetjes së dhënë.
“Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, përmes Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2) ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për grupet vulnerable, me qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për trajnim dhe mundësi punësimi për të gjithë”, thuhet në një shkrim të publikuar sot në UNDP.
Tutje në shkrim thuhet se në javët në vijim, UNDP nëpërmjet ALMP 2 në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit do të rris mbështetjen e saj për punëkërkuesit në Kosovë, gjithashtu edhe për grupet e vulnerable, përmes skemave të ndryshme të masave aktive të tregut të punës që së shpejti do të shpallen.
UNDP, mbështetjen e shtuar po e jep veçanërisht gjatë kohërave të vështira të përballjes me pandeminë COVID-19, si një përpjekje për të ofruar më shumë mundësi për punëkërkuesit, për të mbështetur familjet në Kosovë dhe gjithashtu për të mbështetur punën e institucioneve të tregut të punës gjatë këtyre kohërave të vështira.