75 Mall Live Search
15:42 / E Hënë, 11 Shtator 2023 / LB

Unioni Demokratik Studentor: Gjykata ka aprovuar padinë tonë ndaj UP-së, për votimin e anëtarëve të KD

Unioni Demokratik Studentor ka njoftuar se kanë pranuar aktgjykim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje administrative, ku aprovohet si e bazuar padia e tyre ndaj Universitetit të Prishtinës, në rastin e votimit të anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues.

“Me datë 24.06.2022 në mënyrë të kundërligjshme dhe me forca policore, studentët senatorë janë privuar nga e drejta e votës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke u larguar dhunshëm nga ndërtesa e rektoratit të UP-së. Të gjitha këto veprime në UP janë udhëhequr nga grupe të interesit (kriminale) të cilat për qëllim kanë kapjen e Universitetit. Tashmë është vërtetuar edhe praktikisht që Universiteti i Prishtinës ka udhëheqje joadekuate që qëllim parësor ka interesat e ngushta grupore dhe jo zhvillimin e UP-së”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Unionit Demokratik Studentor

Reagimi i plotë:

UNIVERSITETI I PRISHTINËS ME UDHËHEQJE TË ZGJEDHUR KUNDËRLIGJSHËM DHE NË MËNYRË KLANDESTINE

Sot kemi pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ku aprovohet si e bazuar padia jonë ndaj Universitetit të Prishtinës ‘‘Hasan Prishtina‘‘ në rastin e votimit të anëtarëve të rinjë të Këshillit Drejtues.

Me datë 24.06.2022 në mënyrë të kundërligjshme dhe me forca policore, studentët senatorë janë privuar nga e drejta e votës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke u larguar dhunshëm nga ndërtesa e rektoratit të UP-së. Të gjitha këto veprime në UP janë udhëhequr nga grupe të interesit (kriminale) të cilat për qëllim kanë kapjen e Universitetit. Tashmë është vërtetuar edhe praktikisht që Universiteti i Prishtinës ka udhëheqje joadekuate që qëllim parësor ka interesat e ngushta grupore dhe jo zhvillimin e UP-së.

I bëjmë thirrje të gjitha instancave përgjegjëse të UP-së që të reflektojnë tani kur pretendimet tona janë të vertetuara edhe me Vendim nga institucionet e drejtësisë.

Pas këtij Vendimi Këshilli Drejtues i UP-së dhe menaxhmenti në tërësi më e pakta që duhet të bëjnë është dorëheqja që t’i hapet rrugë zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës ‘‘Hasan Prishtina‘‘.

Gjithashtu kërkojmë anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga kjo udhëheqësi e jashtëligjshme, duke përfshirë zgjedhjen e rektorit, sekretarit të përgjithshëm dhe Statutin e ri të miratuar.

UNIONI DEMOKRATIK STUDENTOR