75 Mall Live Search
18:01 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

United zhbllokohet në Kupën e Anglisë, kualifikohet në 1/8 -at me goleadë

Manchester United është kthyer te fitorja pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të pësuara në Premier League kundër Liverpool-it dhe Burnley-t.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ka mposhtur 6-0 ekipin e Tranmere në transfertë dhe është kualifikuar për në 1/8-at e Kupës së Anglisë. Edhe pse bëhej fjalë për një kundërshtar të kategorisë së tretë të futbollit anglez, rezultati i thellë dhe paraqitja e Djajve ka qenë e shkëlqyer.

Miqtë e kanë siguruar kualifikimin në 45 minutat e para, që janë mbyllur me rezultatin 5-0 falë golave të Maguire (10′), Dalot (13′), Lingard (16′), Jones (41′) dhe Martial (45′).

Kjo ka qenë hera e parë që United ka realizuar pesë gola në pjesën e parë të një ndeshjeje që nga shkurti i vitit 2001 (6-1 kundër Arsenal-it), me trajnerin aktual, Solskjaer, që ka shënuar golin e pestë për Djajtë e Kuq në atë ndeshje.

Në pjesën e dytë, në minutën e 56-të, ka ardhur edhe goli i gjashtë për miqtë, që është realizuar me penallti nga sulmuesi i ri Mason Greenwood. 18-vjeçari, në fakt, është bërë adoleshenti i parë që gjuan një penallti për United që nga Wayne Rooney në dhjetorin e 2004-ës (19 vjeç e 55 ditë kundër Crystal Palace).