75 Mall Live Search
16:04 / E Shtunë, 07 Prill 2018 / indeksADMonline

Universiteti i Prizrenit me vendime në kundërshtim me statutin, sipas profesorit Millaku

Universiteti i Publik i Prizrenit, “Ukshin Hoti” është duke u përballur me një situatë aspak të favorshme kohën e fundit. Bëhet fjalë për një vendim të marrë nga ky institucion arsimor, i cili po konsiderohet në kundërshtim me Statutin.

Ky vendim është marrë nga Këshilli Drejtues i këtij Universiteti, i cili ua lejon kandidimin dhe zgjedhjen në pozitën e dekanit edhe atyre personave që kanë granden “profesor asistent”.

Ky vendim është marrë me datën 20 mars dhe tashmë është publik.

“Lejohet zgjedhja e dekanëve edhe me thirrje akademike profesor asistent, ata të cilët kanë përvojë pune të rregullt së paku tri vite në Arsimin e Lartë”, thuhet në këtë vendim i cili është arsyetuar me mungesën e stafit me gradën “profesor i asocuar”.

“Duke pasur parasysh domosdoshmërinë për miratimin e vendimit i cili e lejon zgjedhjen e dekanëve edhe me thirrje akademike profesor asistent për shkak se Universiteti “Ukshin Hoti: nuk ka mësimdhënës të mjaftueshëm me thirrje akademike profesor të asocuar siç e kërkon neni 68 alineja 2 e Statutit të UPZ-së. Prandaj mbi këtë bazë, Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në këtë vendim.

Por sipas ish-dekanit dhe njëherësh profesorit të këtij Universiteti, Shkëlqim Millaku nuk është e vërtetë që ka mungesë të “profesorëve të asocuar”.

“Në fakt ne kemi tre njësi akademike që kanë profesor të asocuar, Fakulteti i Filologjisë ka dy profesor të asocuar, Fakulteti i Edukimit ka dy profesor të asocuar dhe gjithashtu ka tjerë profesor të asocuar. Kurse tre njësi tjera akademike nuk kanë profesor të asocuar dhe kjo është çështje tjetër pse nuk kanë, këta kanë profesor asistent”,  është shprehur Millaku.

Profesori e konsideron këtë vendim si skandaloz dhe komplet në kundërshtim me statusin e Universitetit, duke thënë që duhet të ndërmerren të gjitha masat ligjore.

“Duke u mbështet në legjislacionin në fuqi e thekson që për të qenë dekan ose prodekan duhet të keni titullin “profesor i asocuar”, kurse Këshilli Drejtues ka bërë shkelje të statutit ku ka marrë vendim që mundet me u leju me u zgjedh edhe profesorët asistent”, ka përfunduar ai.

Po ashtu, Indeksonline ka tentuar që të kontaktoj me zyrtarë brenda Universitetit të Prizrenit por deri më tash nuk është pranuar asnjë përgjigje nga ta.

Ndryshe, Universiteti Publik i Prizrenit “Ukshin Hoti” është themeluar në vitin 2010 kurse ai përbëhet nga komplet gjashtë njësi akademike./Indeksonline/