UNMIK njofton se Kurti dhe Konjufca kanë takuar zyrtarin e lartë të OKB’së, një nga temat edhe dialogu me Serbinë
UNMIK ka dhënë detaje rreth vizitës në Kosovë, të nënsekretarit të Përgjithshëm të OKB’së për Operacionet Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix. Në njoftim bëhet e ditur se ky i fundit, dje, ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Tutje, shtohet edhe se, Lacroix u takua gjithashtu me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.
Postimi:
Gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë brenda tre vjetësh, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacionet Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix, së bashku me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Peter Due, zhvilluan dje takime konstruktive me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e Parë në detyrë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
USG Lacroix u takua gjithashtu me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.
Diskutimet vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresin e arritur, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit. USG Lacroix rikonfirmoi mbështetjen për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve.

