UNMIK-u për mbylljen e fondeve serbe në veri: Çështjet e pazgjidhura të trajtohen përmes dialogut

UNMIK-u është shprehur i shqetësuar për mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Përmes një reagimi në Facebook, UNMIK bën thirrje sërish që të gjitha çështjet e pazgjidhura të trajtohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përveç kësaj, shumë nga komunitetet jo-shumicë, përfshirë serbët e Kosovës, vazhdojnë të përballen me sfida në marrjen e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe lejeve të vlefshme të qëndrimit, të cilat mund të pengojnë aftësinë e tyre për të regjistruar automjetet dhe për të marrë targa”, thuhet në reagim.
“Veprimet në këto çështje, kryhen pa konsultim ose njoftim paraprak për komunitetet e prekura, ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike, pengojnë integrimin e tyre dhe kufizojnë qasjen në kujdesin shëndetësor dhe shërbime të tjera thelbësore”.
“UNMIK përsërit thirrjet e veta që të gjitha çështjet e pazgjidhura të trajtohen në mënyrë konstruktive përmes Dialogut të lehtësuar nga BE”.