UP-ja jep tender njëburimor afro gjysmë milioni euro për sistemin e studentëve
Universiteti i Prishtinës (UP) ka shpërblyer me tender njëburimor, pa publikim të njoftimit për kontratë, kompaninë “Unisoft Group” për mirëmbajtjen e sistemit elektronik për menaxhimin e studentëve.
Vlera bazë e kontratës është 360 mijë euro, por sipas dosjes së tenderit, në rast se aktivizohen kërkesat shtesë deri në 30 për qind, ashtu siç lejohet në kontratat kornizë, vlera maksimale e kontratës arrin në 468 mijë euro.

Në dokumentacionin e tenderit theksohet se vetëm një kompani është ftuar për të marrë pjesë në këtë procedurë, duke ngritur pikëpyetje rreth mungesës së konkurrencës.
Sipas kërkesës së Universitetit të Prishtinës, operatori ekonomik duhet të plotësojë ofertën financiare për sistemin elektronik për menaxhimin e studentëve, përfshirë mirëmbajtjen dhe zhvillimin e të gjitha moduleve sipas specifikimit teknik me 36 sasi, ndërsa për modulin e ri janë paraparë 9 copë, si dhe ndërlidhja me sisteme të jashtme me 9 copë.
Tenderi është realizuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, një praktikë që zakonisht përdoret në raste të veçanta dhe që shpesh kritikohet për mungesë transparence.

