Uran Ismaili: Garoj me zgjidhje të menjëhershme për Prishtinën, të tjerët me plane 10 vjeçare

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË1, ka folur për dallimet mes tij dhe kundërkandidatëve të tjerë në garë.
Ismaili tha se gjendja në të cilën ndodhet sot kryeqyteti është pasojë e qeverisjeve të kaluara nga të dy partitë e mëdha, të cilat kanë pasur rastin ta udhëheqin Prishtinën, por nuk kanë arritur të sjellin rezultate.
“Kandidatatura ime dhe programi im qëndrojnë ndryshe nga kandidatët e tjerë. Unë nuk kam premtuar për zgjidhje që vijnë pas pesë, shtatë apo tetë vitesh. Unë nuk flas për vitin 2035, nuk flas për mandate tetëvjeçare – unë flas për problemet reale të qytetarëve, që duhet të zgjidhen menjëherë,” u shpreh Ismaili.
Ai shtoi se kundërshtarët e tij janë të shkëputur nga realiteti i Prishtinës, duke mos e kuptuar jetën dhe sfidat e përditshme të qytetit. “Në Prishtinë të flasësh për vitin 2035 do të thotë se nuk e kupton aspak situatën në terren. Qyteti ka nevojë për zgjidhje urgjente, jo për vizione të largëta,” tha ai.