75 Mall Live Search
15:12 / E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 / b l

Uran Ismaili: Kjo seancë është farsë, Konjufca është marrë peng nga Kurti- PDK do të votojë kundër

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mandatarit për kryeministër ka thënë se kjo seancë është farsë.

Ismaili, nga foltorja e Kuvendit ka thënë se është e pakuptimtë të pretendohet se ka dikush që beson se ai Konjufca mund të jetë kryeministër i vërtetë, ndërsa Kurti zëvendës i tij.

“Kjo seancë është farsë, me një kandidat që edhe vetë e di se nuk mund ta luajë rolin e kryeministrit, edhe po t’i kishte votat për qeveri. Si mund të jetë dikush kandidat për kryeministër kur dikush tjetër ia vendos emrat e ministrave dhe ai nuk ka të drejtë të propozojë asnjë emër? Ky është tregues i mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë kandidati për kryeministër është ai. Çfarë na tregon kjo? Që z. Konjufca është i marrë peng. Që në krye të qeverisë propozohet dikush që krejt Kosova e di se nuk është kryeministër. Kërkohet vota e deputetëve për të legjitimuar marrjen peng të z. Konjufca. Konjufca nuk është kandidat që ka të drejtë të propozojë diçka apo të kritikojë kënd”, ka theksuar ai.

Ismaili tha se kjo seancë është tendencë e Albin Kurtit për t’ia lënë fajin ish-opozitës, prandaj vota e PDK-së do të jetë kundër. “Sot, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të tentojë ta zgjasë krizën. Qëllimi i PDK-së është të dalim nga ky ngërç dhe nga kjo krizë që po i shkakton dëme të mëdha Kosovës. Këta po kërkojnë:

“Hajde ta zgjasim krizën deri në prill.” Kriza vazhdon për popullin, por me rëndësi për ta është që vazhdojnë privilegjet e qeverisë. Nuk ka më privilegje qeveritare për askënd derisa ka krizë në Kosovë. Mos u fshihni më pas emrave të askujt. Zgjedhjet na nxjerrin përballë popullit, dhe çdo politikan i mirëfilltë nuk i ikë ballafaqimit me popullin e tij”, ka shtuar ai. Ai ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të mos i ikë ballafaqimit me taktizime emrash dhe zgjatje të krizës.

“Është i njëjti mentalitet me të cilin dikur bllokohej Kuvendi me emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa Kosovës i shtoheshin problemet, thelloheshin vështirësitë e familjeve, rëndohej kriza e rritjes së çmimeve, rëndohej gjendja ekonomike, rritej çmimi i energjisë elektrike, kishte mungesa të mëdha të barnave e shërbimeve shëndetësore dhe të rinjtë e familjet shqiptare po largoheshin nga vendi. Dhe në fund, kur erdhi zgjidhja me emrin e Dimal Bashës, edhe vetë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje çuditeshin se çfarë kishte ndodhur dhe pse Kosovës i ishte humbur kaq shumë kohë. Kosova ka hyrë në një mentalitet bllokues, dhe arkitekti i këtij mentaliteti është z. Kurti. Dhe është dëshpëruese ta shohësh këtë mentalitet që po vazhdon prej 10 muajsh në Kuvend”, ka shtuar ai.