Uran Ismaili prezanton nga ora 19:00 zotimet për “Ulpianën”: dy venparkime nëntokësore dhe fasadim të ndërtesave banesore

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në kuadër të turit të tij të prezantimit të planeve për zgjidhjen e problemeve më të mëdha të kryeqytetit dhe projekteve specifike për çdo lagje, sonte do të ndalet në lagjen “Ulpiana”. Takimi do të mbahet në shkollën “Hasan Prishtina”, duke filluar nga ora 19:00, ku ai ka ftuar qytetarët të marrin pjesë.
Ismaili tha se “Ulpiana” është një lagje emblematike e kryeqytetit me trashëgimi urbane, por që për vite është lënë anash nga qeverisjet komunale. “’Ulpiana’ nuk është lagje e projekteve të harruara që mbesin në letër, por lagje që meriton dinjitet dhe investime konkrete”, ka theksuar ai.
Projektet identifikuese të Ismailit për “Ulpianën” janë:
Dy venparkime nëntokësore me park të lojërave për fëmijë sipër;
Modernizimi i lagjes përmes fasadimit dhe izolimit të ndërtesave;
Vendosja e ashensorëve dhe rregullimi i ndriçimit publik;
Renovimi i shkollës “Hasan Prishtina” dhe dy çerdheve të lagjes;
Ndërtimi i tregut të “Ulpianës”;
Dezinsektimi dhe higjiena e blloqeve banesore të lagjes.
Ismaili ka shtuar se “Ulpiana”, ashtu si çdo pjesë tjetër e Prishtinës, do të përfshihet në vizionin e tij për një kryeqytet funksional dhe dinjitetshëm, ku hapësirat publike u kthehen qytetarëve dhe investimet prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së tyre./Indeksonline/