75 Mall Live Search
22:15 / E Premte, 10 Tetor 2025 / MSH

Uran Ismaili, qytetarëve të Prishtinës: Ma jepni një shansë, ndryshimi është afër

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka përmbyllur fushatën e tij me një tubim madhështor në sheshin “Skënderbeu”, ku është pritur nga mijëra qytetarë që i dhanë mbështetje për vizionin e tij për një Prishtinë funksionale dhe gjithëpërfshirëse.

Në fjalimin e tij para qytetarëve, Ismaili tha se pas viteve të ngecjes dhe konflikteve politike, qyteti ka nevojë për një udhëheqje që nuk justifikohet, por vepron. “Prishtina nuk mund të jetë më qytet i arsyetimeve dhe i projekteve që mbesin në letër. Qytetarët duan ndryshim të prekshëm, duan dritë, pastërti, siguri dhe respekt. Dhe këtë, unë do ta sjell me punë të përditshme, jo me fjalë,” u shpreh ai.

Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe tha se fushata e tij ishte ndryshe – jo përballë njerëzve, por pranë tyre. “Kjo ka qenë fushatë e zemrës, e ndërtuar me besim dhe përkushtim. Kam takuar mijëra qytetarë, që më kanë thënë se janë gati për ndryshim. Ky është momenti që shpresa të kthehet në realitet,” tha Ismaili.

Në mbyllje, ai përsëriti zotimin e tij për përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe theksoi se 12 tetori është dita e vendimit: “Unë nuk kam premtime 10-vjeçare. Kam plane 4-vjeçare që nisin menjëherë pas 12 tetorit. Është koha të mos presim më – është koha për Prishtinën që punon, që ndriçon dhe që frymon bashkë me qytetarët e saj.”