75 Mall Live Search
12:00 / E Enjte, 18 Shtator 2025 / F.R

Uran Ismaili zotohet për dy vendparkime nëntokësore dhe ndërtimin e një qendre komunitare në lagjen “Dardania”

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, mbajti mbrëmë një tubim me qytetarët e lagjes “Dardania”, ku prezantoi zgjidhjet për pesë problemet më të mëdha të kryeqytetit, si edhe projektet specifike për këtë lagje të cilat parashihen të kushtojnë afërsisht 15 milionë euro. 

Projektet kryesore identifikuese për “Dardaninë” përfshijnë:

  • Riparimin e fasadave të blloqeve të vjetra të banimit me ashensorë funksionalë dhe dritare termoizoluese;
  • Revitalizimin e Kurrizit dhe qendrës “Santea”;
  • Dy vendparkime nëntokësore (njëri pranë orës së Kurrizit dhe tjetri afër shkollës “Dardania”);
  • Ndërtimin e një qendre komunitare me pishinë gjysmolimpike.

Këto zotime u pritën jashtëzakonisht mirë nga banorët e lagjes.

Në fjalën e tij, Ismaili tha se Prishtina është në një udhëkryq dhe përshkroi gjendjen e tanishme: “Na kanë mbetur fëmijët pa shkuar në çerdhe, hyjnë në klasë nga 40 persona, i kemi rrugët e pandriçuara, na sulmojnë qentë endacakë. Kjo është gjendja reale e Prishtinës.”

Ai shtoi se këto nuk janë probleme me të cilat qytetarët duhet të pajtohen: “Këto nuk janë probleme që ne duhet të jetojmë me to. Këto nuk janë probleme që ne duhet t’i pranojmë. Këto nuk janë probleme që nuk duhet t’ua mveshim përgjegjësinë”.

Ismaili theksoi se është koha që qytetarët të marrin përgjegjësinë për ndryshimin: “Është koha që të zgjohen qytetarët e Prishtinës. Është koha të zgjohet secili prej nesh. Problemet nuk do të na largohen nëse ne nuk i përvishemi punës për t’i larguar problemet tona. Është koha për Prishtinën, është koha për ‘Dardaninë’, është koha për qytetarët e Prishtinës”. 

Ai u zotua se Prishtinën do ta kthejë në një qytet të jetueshëm, funksional dhe dinjitetshëm për secilin banor.

Premtimet e plota për lagjen “Dardania” mund t’i gjeni në https://kohaperprishtinen.com/dardania

Tubimi i radhës i kandidatit do të mbahet sonte në lagjen “Hajvalia”, nga ora 19:00.