“Uroj që kreu i ri i SPAK-ut të mos jetë i kapur”, Berisha: Nuk sulmoj drejtësinë, por krimin brenda sistemit
“Uroj që kreu i ri i SPAK-ut të mos jetë i kapur”.
Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat, pas paraqitjes së tij të përjavshme në këtë institucion dhe në prag të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, që pritet më 11 dhjetor.
“Më the se janë katër kandidatë. Nuk kam asnjë lidhje, nuk kam asnjë dijeni për asnjërin prej atyre që do zgjidhet. Uroj të jetë i pahapur nga krimi, siç ishte Altin Troplini. Absolutisht unë mbështes çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues, çdo polic dhe cilindo që zbaton ligjin. Unë jam njeri i ligjit. Besimi im politik është Kushtetuta dhe ligji’.
Duke ripërsëritur akuzat ndaj kreut aktual të SPAK-ut Altin Dumani, ai akuzoi edhe ish-kryeprokurorin Arben Kraja si ish-bashkëpunëtor i sigurimit.
“Nuk kam anatemuar asnjë njeri, kam paraqitur dokumente publikut për veprimtarinë kriminale, qoftë të Arben Krajës, qoftë të Altin Troplinit. Nuk është anatemim. Më thuaj cila nga këto që kam deklaruar për Altin Troplinin nuk është e vërtetë? Unë kam paraqitur para publikut të vërtetat për këtë. Kraja nuk duhet të jetë në detyrë se është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Është e faktuar kjo. Ai e mohon këtë. Por po ta lexosh atë që ka shkruar, nuk ka qenë ndonjëherë në parti, ka qenë deputet, ka qenë kandidat për deputet i Partisë së Punës. Por unë nuk e marr këtë akt. Por ai nuk ka pse mashtron. Por ai i përket serisë së Sigurimit të Shtetit. Plus, që ka probleme të tjera të mëdha, por është një kapitull më i veçantë”, u shpreh Berisha.
Berisha deklaroi se ka paraqitur dokumente publike, të cilat pretendon se vërtetojnë lidhje të paligjshme të disa zyrtarëve të drejtësisë. Ai këmbënguli se nuk po sulmon drejtësinë, por “krimin brenda sistemit”, duke shtuar se “vërteta mund të vonojë, por nuk harron”.
Sipas tij, dokumentet e publikuara, të cilat ai i përmend me “vulë apostile”, tregojnë probleme të rënda në veprimtarinë e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Berisha përmendi çështjen e dosjes “Toyota Yaris”, duke pretenduar se hetimet, sipas tij, janë përdorur për të shtyrë afatet ose për të mbrojtur individë të caktuar./Indeksonline/

