Ursula von der Leyen nderohet me çmim për kontributin në unitetin evropian

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mori të enjten Çmimin Ndërkombëtar të Karlit të Madh, një çmim vjetor ky për kontributet në unitetin evropian, ndërsa blloku prej 27 vendesh përballet me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, luftën tregtare të administratës Trump dhe çështjet e sigurisë në të gjithë kontinentin.
Figura politike e profilit të lartë e Bashkimit Evropian, von der Leyen, u quajt “mishërimi i shpirtit evropian” nga Mbreti Felipe VI i Spanjës gjatë ceremonisë së së enjtes në Aachen të Gjermanisë.
Vitin e kaluar, ligjvënësit e Parlamentit Evropian e rizgjodhën atë për një mandat të dytë pesëvjeçar si presidente e krahut të fuqishëm ekzekutiv të BE-së, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.
Komisioni propozon legjislacion për 27 vendet anëtare të BE-së – dhe 450 milionë banorët e saj – dhe siguron që rregullat që qeverisin bllokun më të madh tregtar në botë të respektohen. Ai përbëhet nga një Kolegj Komisionerësh me një gamë portofolesh të ngjashme me ato të ministrave të qeverisë, duke përfshirë bujqësinë, ekonominë, konkurrencën, sigurinë dhe politikën e migracionit.
Pasi erdhi në detyrë në vitin 2019, von der Leyen udhëhoqi përpjekjet e BE-së për të siguruar vaksinat kundër COVID-19 dhe ka qenë një mbështetëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Me qeveritë e dobësuara në Francë dhe Gjermani në atë kohë, ajo kërkoi të luante një rol më të madh në punët e bllokut.