75 Mall Live Search
14:36 / E Martë, 14 Tetor 2025 / Z S

Ursula von der Leyen vizitoi varrezat në Potoçari, bëri homazhe për viktimat e gjenocidit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka filluar vizitën zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë me një vizitë në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Ajo ka mbërritur në Potoçari me helikopter.

E shoqëruar nga shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, drejtori i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Emir Suljagiq, kryetari i Bordit Drejtues të Qendrës, Hamdija Fejziq, dhe aktivistja Munira Subashiq, von der Leyen vizitoi varrezat në Potoçari dhe bëri homazhe për viktimat e gjenocidit.

“Në këtë mënyrë, von der Leyen simbolikisht konfirmoi përkushtimin evropian ndaj kulturës së kujtesës dhe të drejtave të njeriut”, raporton mediumi Vjesti.ba

Më vonë gjatë ditës, Presidentja e Komisionit Evropian do të arrijë në Sarajevë, ku do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, e më pas edhe me kryeministren e Këshillit të Ministrave të BiH, Borjana Krishto.

Në kuadër të vizitës janë parashikuar edhe deklarata për media, të cilat von der Leyen do t’i japë së bashku me Krishton pas takimit bilateral në ndërtesën e Kuvendit Parlamentar të BeH.

Pritet që me këtë rast të theksohet nevoja për përshpejtimin e proceseve reformuese, forcimin e stabilitetit institucional dhe hapat konkretë drejt përmbushjes së kritereve kyçe për anëtarësim në Bashkimin Evropian