17:11 / E Hënë, 13 Dhjetor 2021 / LB

Usein: Shkalla e braktisjes së shkollës nga fëmijët romë u rrit me 11%, ndërsa një në dy rom raportoi të ardhura të reduktuara për shkak të Covid-19

Projekti i RCC për Integrimin e Romëve organizoi konferencën rajonale mbi Ndikimin e Covid-19 te romët në Ballkanin Perëndimor

“Analizat rajonale, mbi ndikimin e Covid-19 te romët në rajon, konfirmuan se pasojat më të larta (negative) për romët janë zbuluar në fushën e punësimit dhe arsimit. Tre nga katër fëmijë romë nuk morën asnjë ndihmë gjatë leksioneve online, si nga mësuesit, ashtu edhe nga shokët e klasës dhe shkalla e braktisjes së shkollës u rrit me gati 11% në nivel qarku, kryesisht për shkak të gjendjes së vështirë financiare të familjeve. Romët raportuan të ardhura të reduktuara. Duke ditur sfidat me të cilat përballet populli ynë, objektivi i RCC është të forcojë përfshirjen e qytetarëve në promovimin, formësimin dhe zbatimin e politikave dhe proceseve kryesore,” tha Orhan Usein, Shefi i Zyrës për Integrimin e Romëve në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapjen e Konferencës rajonale për ndikimin socio-ekonomik të Covid-19 te romët në Ballkanin Perëndimor e cila po zhvillohet sot në Beograd.

Konferenca, e organizuar nga projekti i RCC për Integrimin e Romëve, mblodhi rreth 70 përfaqësues nga institucionet publike të Ballkanit Perëndimor përgjegjës për integrimin e romëve, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe RCC për të kërkuar zgjidhje dhe për të diskutuar gjetjet e analizës mbi ndikimin e Covid-19 te romët në Ballkanin Perëndimor Qëllimi i kësaj analize ishte marrja e të dhënave që do ta bënit më të qartë ndikimin socio-ekonomik të Covid-19 tek romët, në fushat e arsimit, punësimit, shëndetësisë, strehimit dhe mosdiskriminimit.

“Nëpërmjet proceseve kryesore për të cilat ne punojmë me përkushtim, duke përfshirë Axhendat Dixhitale dhe të Gjelbërta, synojmë të sigurojmë masat që duhen ndërrmarë me qëllim që grupet e pafavorizuara të përfitojnë sa më shumë. Misioni ynë është që romët të mos lihen jashtë këtyre axhendave. Duhet të ketë një qasje sistematike për të mundësuar më shumë aksese për komunitetin romë, në arsimin online dhe industrinë e riciklimit si dhe të këtë kushte më të mira për punësimin e tyre në të ardhmen,” tha Elda Kalaja, Shefe e zyrës së Sekretares së Përgjithshme të RCC në fjalën e saj hyrëse.

Nëpërmjet projektit të saj për Integrimin e Romëve, RCC po prezanton projektet e reja që rajoni duhet të hartojë dhe vërë në zbatim, siç është dhe anticiganizmi, të përcaktuar qartë nga BE-ja si një objektiv i qartë për të luftuar përjashtimin social të romëve. RCC do të ndihmojë vendimarrësit që të përkthejnë njohjen e anticiganizmit në veprime efektive, duke siguruar gjithashtu që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të monitorojnë progresin dhe të punojnë krah për krah me institucionet e BE-së për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund të vazhdojmë me qasjen e zakonshme. Mbështetja dhe politika jonë duhet të rishikohen. Ky rishikim duhet të përfshijë fusha të ndryshme e të rivendosë prioritetet për të kuptuar e reflektuar në nevojat emergjente. Fushat e reja si anticiganizmi, axhenda dixhitale dhe e gjelbër duhet të hyjnë gjithashtu në fokusin tonë,” tha Marta Garcia Fidalgo, Koordinatore e Politikave Rome në Drejtorinë e Përgjithshme NEAR të Komisionit Evropian.

Neda Korunovska, Menaxhere e Avokimit nga Zyra e Iniciativave Rome të Fondacionit Shoqëria e Hapur, shtoi se anketat e fundit të OSF-së dëshmojnë se njerëzit që punojnë në sektorin privat pajtohen se shumica e romëve diskriminohen si fuqi punëtore edhe kur kanë të njëjtat kompetenca dhe aftësi si të tjerët. “Puna e zgjuar dhe gjithëpërfshirëse e kompanive nuk është vetëm një çështje e përgjegjësisë sociale të korporatës, por edhe një çështje e diversitetit të zgjuar ekonomik që është vërtetuar se mbështet kreativitetin dhe inovacionin.”

Analiza, e cila u krye në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshin të dhëna rajonale dhe specifike për ekonominë. Ajo vlerëson situatën aktuale të romëve dhe ofron të dhëna për përcaktimin e masave të përshtatura që mund të përfshihen në politikat kryesore dhe në strategjitë e reja të integrimit të romëve. Publikimi mund të shkarkohet nga faqja e internetit e Integrimit tëRomëve https://www.rcc.int/romaintegration2020/docs_archive.