Ushtarët armenë të KFOR-it trajnohen me helikopterë

Ushtarët armenë të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar trajnim me helikopterë.
Trajnimi zuri vend në shtabin e KFOR-it “Camp Film City”, në Prishtinë, shkruan IndeksOnline.

Sipas një njoftimi zyrtar të KFOR-it, trajnimi kishte për qëllim përmirësimin e procedurave të hipjes dhe daljes nga helikopteri, me synim rritjen e aftësive të ushtarëve për të kryer vendosje ajrore.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.