75 Mall Live Search
10:53 / E Premte, 20 Shtator 2024 / k.v

Ushtarët e Kosovës prej sot do të ushqehen nga kjo kompani, vlera e kontratës mbi 2 milionë euro! (Dokument)

Ministria e Mbrojtjes (MM) e ka shpërblyer të enjten me një kontratë grupin e operatorëve ekonomik “N.T.P Hajdini Comerc” dhe “Bylmeti-KS” për përgatitjen e ushqimit për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Vlera e ofertës përfundimtare, duke u bazuar në çmimin për njësi pas përfundimit të negociatave është 2.149.00.00 euro, transmeton IndeksOnline.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kontrata ka të bëjë me shërbim ushqimi për nevojat e FSK-së.

Ministrinë të cilën e udhëheqë Ejup Maqedonci u ka dërguar ftesë për ofertim tri kompanive.

Aty morën pjesë grupi i operatorëve ekonomik “Sa&Ma shpk, Walker S Food SHPK, Royal Bakery SHPK” të cilët ofertuan me çmim 2,168,000 milionë euro dhe grupi i operatorëve ekonik “Isuf Musliu BI, Delfin l.t.d shpk” me çmim 2,753,800 euro.

Kompania “Hajdini Comerc” të cilën e drejton Granit Leku me vëllezërit e tij janë aktivë në këtë lëmi tash e 25 vjet dhe sipas njoftimit të publikuar nga KRPP, në këtë ofertim ishin më të lirët.

“Hajdini Comerc” iu shërben institucioneve të ndryshme në Kosovë përfshirë, spitaleve të Kosovës, çerdheve publike, shtëpive të të moshuarve (domeve), mezes së studentëve dhe burgjeve të Kosovës./IndeksOnline/