75 Mall Live Search
09:37 / E Mërkurë, 19 Qershor 2024 / MSH

Ushtari amerikan dënohet me gati 4 vjet burg në Rusi

Një ushtar amerikan është dënuar me tre vjet e nëntë muaj burgim në Rusi, nën akuzën se i njëjti ka vjedhur dhe ka kërcënuar me vrasje ish të dashurën e tij.

Rreshteri Gordon Black u arrestua në muajin maj, teksa vendimin për dënimin e tij e mori një gjykatë në qytetin Vladivostok, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.

Black u deklarua i pafajshëm për akuzat për kërcënim të vrasjes, por nuk e mohoi se ishte fajtor për vjedhjen e 10 mijë rublave, nga e dashura e tij.

Prokurorët kërkuan që ai të dënohej me katër vjet e tetë muaj burg, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi që Black të shpallej i pafajshëm.

Black dhe e dashura e tij ishin takuar në Kore të Jugut. Vajtja e tij në Rusi nuk ishte autorizuar nga departamenti amerikan i mbrojtjes.

Rusia po mban pas hekurave amerikanë të tjerë. Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich është në burg që nga marsi i vitit 2023, ndërsa ish-marinsi amerikan Paul Whelan u dënua me 16 vjet burg në vitin 2020, shkruan BBC.

Të dy burrat thonë se janë të pafajshëm dhe qeveria amerikane thotë se akuzat kundër tyre janë të pabaza.