Ushtria, demarkacioni e taksa, kryefjalët e 2018-tës
Viti që lamë pas, do të mbahet mend për disa të arritura të mëdha dhe historike. 2018-ta ishte më i veçantë për shkak të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, që u shënua me dhjetë ditë festë pa ndal, me organizime të ndryshme.
E arritura e parë me sukses për këtë vit në vend u shënua me 21 mars, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, që ishte edhe njëra ndër kushtet kryesore për të fituar lëvizjen e lirë.
Kjo marrëveshje me vite u kundërshtua nga opozita, e cila në mënyra nga më të ndryshmet e parandaloi votimin në Kuvend, shkruan Indeksonline.
Pas miratimit të kësaj marrëveshje në Kuvend, e cila u pengua katër herë nga Vetëvendosja e cila hidhet gaz lotsjellës në sallë, Kosova arriti një hap më afër liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.

U desh të kalojnë disa muaj të qetë dhe pa zhvillime, derisa pothuajse në fundvit Qeveria e Kosovës, në krye me shefin, Ramush Haradinaj, të marr vendimin që ‘dridhi’ rajonin.
Bëhet fjalë për vendosjen e taksës 100% për produktet që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ky vendim solli të mira të shumta për bizneset dhe qytetarët e Kosovës, të cilët e mirëpriten një gjë të tillë, duke përgëzuar Haradinajn për guximin.
Me vendosjen e taksës, bizneset kosovare kanë rritur prodhimin dhe të ardhurat, derisa disa kanë hapur edhe vende të reja punë për shkak të volumit të punës.
Por, njëjtë nuk e priti edhe Serbia e Bosnja Hercegovina, të cilat u ankuan deri te Bashkimi Evropian për këtë masë të marrë nga Kosova.
Më keq e priti taksën Serbia, e cila pas humbjeve miliona euro që po pëson nga moseksporti në Kosovë, e kushtëzoi dialogun mes dy shteteve me heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës megjithatë mbeti e vendosur për taksën, duke ndërmarrë një hap edhe më të rreptë ndaj Serbisë.
Ajo në mbledhje të saj vendosi që taksë 100% të paguajnë edhe brendet ndërkombëtare që hynin në Kosovë përmes Serbisë, përfshirë edhe pijen e njohur Coca Cola.
Haradinaj duke qëndruar stoik ndaj vendimit të tij, kundërshtoi kërkesen e BE-së, Serbisë e Bosnjes që të shfuqizoj vendimin për taksën.
Ende pa u bërë një muaj nga taksa, Kuvendi i Kosovës vendosi edhe një datë historike në kalendarin e festave.
Bëhet fjalë për votimin e tri ligjeve, që transformuan Forcat e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Republikës.
Ky vendim që u quajt ‘pavarësia e dytë’ dhe ngjarja më e rëndësishme pas 17 shkurtit, ngjalli siguri dhe krenari te qytetarët e Kosovës, derisa ngriti në këmbë të gjithë serbët, që e kundërshtuan një gjë të tillë.

Madje, Serbia filloi të bënte edhe propagandë, duke thënë se po ndjehen të pasigurt tani për të jetuar në Kosovë.
Kështu, tri sukseset që shënuan 2018-tën llogariten kalimi i demarkacionit me Malin e Zi, vendosja e taksës 100% ndaj Serbisë e Bosnja-Hercoegovinës dhe Ushtria e Republikës së Kosovës./Indeksonline/