Ushtria e policia në majë, partitë politike në fund: Si u rendit besimi qytetar në Kosovë?
Forcat e sigurisë dhe Policia e Kosovës gëzojnë nivelin më të lartë të besimit qytetar, ndërsa partitë politike mbeten institucioni më pak i besuar në vend, sipas sondazhit të fundit të WeBalkans për vitin 2026.
Të dhënat tregojnë se 87.4 për qind e qytetarëve deklarojnë se kanë besim te forcat ushtarake, ndërsa 85.6 për qind shprehin besim te policia. Në mesin e institucioneve me besim të lartë renditet edhe presidentja, me 77 për qind, si dhe autoritetet fetare me 69.2 për qind.
Qeveria e Kosovës gëzon besimin e 64.8 për qind të qytetarëve, ndërsa Kuvendi ka nivel më të ulët besimi, me 57.8 për qind. Autoritetet lokale qëndrojnë në një nivel të ngjashëm, me 56.7 për qind, duke treguar se institucionet ekzekutive dhe ato të sigurisë perceptohen më pozitivisht se mekanizmat përfaqësues politikë.
Në anën tjetër, partitë politike dalin më dobët në sondazh. Vetëm 25.8 për qind e qytetarëve deklarojnë se kanë besim tek to, ndërsa 67.6 për qind thonë se nuk u besojnë. Ky rezultat i vendos partitë në fund të listës së institucioneve dhe sistemeve të matura nga sondazhi.
Besim të ulët shënojnë edhe mediat, me 40.4 për qind, ndërsa 52.2 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk u besojnë. Sistemi gjyqësor dhe ai zgjedhor janë pothuajse të ndarë në mes: 48.1 për qind kanë besim te gjyqësori, ndërsa 47.5 për qind te sistemi zgjedhor.
Sondazhi tregon një dallim të qartë mes institucioneve që lidhen me sigurinë dhe rendin, të cilat gëzojnë besim të lartë, dhe institucioneve politike, mediatike e gjyqësore, ku besimi është më i brishtë.

