13:30 / E Martë, 04 Tetor 2022 / B O

Ushtria e Ukrainës po avancon në rajonet e aneksuara

Trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë territore në rajonet e aneksuara ilegalisht nga Rusia, duke avancuar pranë qytetit lindor të Kherson dhe duke konsoliduar fitoret në lindje. Zyrtarë të instaluar nga Moska, në Kherson konfirmuan avancimin e ushtrisë së Kievit, por thonë se trupat e tyre ishin të vendosur mirë në pozicion mbrojtës.

Sipas Rusisë, mbi 70 mijë rezervistë janë gati t’i bashkohen luftës në Ukrainë, në një përpjekje për t’i dhënë hov fushatës së agresionit. Në lindje, forcat e Kievit depërtuan në rajonin e kontrolluar nga rusët të Luhansk. Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se koloni të reja ishin çliruar në rajone të ndryshme.

Në fjalimin e mbajtur gjatë natës, ai pohoi se luftimet e ashpra vazhdojnë në zhumë zona, por nuk dha detaje.

“Kundërofensiva e ushtrisë dhe mbrojtësve tanë vijon. Janë çliruar koloni të reja në disa rajone. Luftimet e ashpra vijojnë në shumë zona, por perspektiva është e qartë: gjithmonë e më shumë pushtues përpiqen të arratisen dhe armiku po vuan humbje të mëdha”, u shpreh Zelenski.

Autoritetet në Kiev po tregohen të rezervuar lidhur më kundërofensivën dhe reporterët po mbahen larg vijës së luftës. Por lideri i instaluar nga rusët i rajonit të Kherson. Vladimir Saldo pranoi se forcat e Kievit kishin depërtuar në qytezën e Dudchany, pranë lumit Dnipro.

Të shtunën forcat ukrainase çliruan nyjen e rëndësishme strategjike, të Limanit. Kherson dhe Luhansk janë mes 4 rajoneve të aneksuara ilegalisht nga presidenti Putin, pas të ashtuquajturave referendume.

Aneksimi u ratifikua të martën nga të dyja dhomat e parlamentit rus, Duma. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u bë objekt i talljeve online ditën e hënë pasi tha se Moska ishte ende duke vendosur së cilat zona kishte aneksuar.

Sipas tij rajonet e Luhansk dhe Donetsk janë pjesë e Rusisë, por konsultimet me popullsinë vijojnë mbi kufijtë e rajoneve të Kherson dhe Zaporizhia.