20:02 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ushtrimet për formësim të trupit

Për të pasur një trup të formësuar pavarësisht peshës ideale që keni është e rëndësishme të ushtrohen disa lloje të caktuara ushtrimesh. Kjo mund të bëhet jo vetëm duke vajtur në palestër por edhe duke u ushtruar në shtëpi në kushte të thjeshta. Pa pasur pajisjet e posaçme ju mund të bëni këto ushtrime.

– Këmbët: Mjafton të shtriheni në një sipërfaqe të dhomës duke u ngritur disi. Me njërin krahë do të mbështeteni duke formuar këndin 90 gradë për t’i dhënë hapësirë ushtrimit të këmbëve. Kështu do të ngrini njërën këmbë disa herë të paktën deri në 30 të tilla, si fillim. Të njëjtën gjë do të bëni edhe me këmbën tjetër. Kjo do të lodhë këmbët tuaja, por në këtë mënyrë ato forcohen dhe bëhen më të formësuara.

– Krahët: Për sa i përket formësimit të krahëve duhet të bëni një tjetër ushtrim. Ngrini njërin krah lart duke e shtyrë mbrapa qafës sa më shumë. Këtë veprim përsëriteni disa herë derisa të ndieni lodhje. Të njëjtën gjë bëjeni edhe me krahun tjetër. Këtë ushtrim mund ta realizoni edhe duke ngritur ndonjë peshë në mënyrë që lodhja të ndihet më shumë.

– Kofshët: Ndërsa për forcimin e kofshëve bëhen disa lloje të tjera ushtrimesh. Duke u mbështetur në njërin gju, dhe dy duart përpara mundohuni të ngrini njërën këmbë sa më lart duke lëvizur për disa herë me radhë. Këtë veprim përsëriteni edhe me këmbën tjetër, derisa të ndieni lodhje. Ky ushtrim është efikas veçanërisht për formësimin e kofshëve në pjesët e brendshme.

– Vithet: Një tjetër ushtrim efikas që do të ndihmonte në formësimin e vitheve është të shtriheni duke ngritur këmbët dhe duke vënë krahët anash në mënyrë të njëjtë. Në këtë mënyrë ngrini disa herë pjesën e këmbëve bashkë me vithet. Ky është një ushtrim tipik që ndihmon jo vetëm në forcimin e vitheve por edhe të pjesës së barkut.

– Muskujt e barkut: Ushtrimet të cilat do t’i tregojmë në vazhdim shërbejnë për formësimin e disa muskujve njëherësh e sidomos të atyre të barkut. Gjysmë të shtrirë ngrini këmbët lart dhe kryqëzoni duart poshtë vitheve. Pasi keni marrë këtë pozicionim mundohuni të ngrini trupin disa herë përpara. Është një ushtrim i lodhshëm por që ndihmon në djegien e kalorive si në forcimin e muskujve. Për të njëjtin efekt mund t’i kryqëzoni këmbët me njëra-tjetrën për t’i dhënë më shumë larmi ushtrimit. Ose t’i rrotulloni këmbët njëherë majtas e më pas djathtas në formë rrethi. Ky është një nga ushtrimet më të mira që ndihmon në forcimin e muskujve të barkut. Kështu me pak vullnet mund të realizoni ushtrime tipike për formësimin e muskujve të ndryshëm të trupit, pa qenë nevoja të shkoni në palestra të posaçme