Ushtruan dhunë ndaj një qytetari, prokuroria: Udhëheqësi i patrullës rrezikon paraburgim, dy të tjerët arrest shtëpiak

Tre zyrtarë policorë janë arrestuar të hënën nën dyshimin se kanë kryer veprën penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Sipas IPK-së, rasti për të cilin dyshohen të përfshirët ka ndodhur, më 28 qershor në rrugën “Ismail Qemajli” të Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari gjatë arrestimit të tij.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, për Tëvë1, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se është duke u përpiluar kërkesa për masën e paraburgimit ndaj udhëheqësit të patrullës, ndërkaq për dy zyrtarët që kanë ndihmuar në rast, masa do të jetë arresti shtëpiak.
“Aktualisht në Prokurorinë Themelore në Pejë po përpilohet kërkesa për caktimin e paraburgimit për udhëheqësin e kësaj patrulle, ndërkaq për dy zyrtarët tjerë është duke u përpiluar kërkesa për arrestin shtëpiak dhe njëkohësisht kjo kërkesë sot do të deponohet në departamentin përkatës, ku pasi që të mbahet seanca dëgjimore, prokurori i shtetit do t’i elaborojë arsyet se pse duhet të vendosen këto masa dhe njëkohësisht duhet të aprovohen këto masa në mënyrë që të mos koordinohen mes vete të pandehurit për deklarata për shkak se mund të ketë ndikim në procedura penale”, deklaroi Nikçi.