13:23 / E Mërkurë, 06 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Vaji i kanabisit në Shqipëri prodhohet në banesa, ja procesi i plotë

Në një kohë kur shteti pretendon se në Shqipëri nuk prodhohet e as tregtohet më kanabisi, Top Story sjell në mënyrë ekskluzive prodhimin e vajit të kanabisi në kushte shtëpie.

Duke parë këto pamje kuptohet se në Shqipëri vijon kultivimi dhe tregtimi i kësaj bime, në mënyrë të paligjshme.

Personazhi X është një i ri, i cili ka nisur të merret me këtë punë që në moshë të vogël, për shkak të varfërisë që po kalonte familja e tij.

“Ky është një proces shumë i thjesht që mund ta bëjë kushdo në shtëpinë e tij. Si fillim marrim boçet e kanabisit dhe i ngrijmë në copa të vogla, për ta përhapur sa më mirë rezinën. Tani pasi kemi copëtuar 100 gr kanabis, duhet të shtojmë një liter alkool, që duhet të jetë mbi 90 gradë e sipër, duhet ta lagim të gjithin, në mënyrë që kanabisi të zhytet. I vëmë kapakun dhe e lemë gjysmë ore që alkooli të rri bashk me kanabisin. Pas 30 minutash, bëhet procesi i kullimit. Pasi kullojmë alkoolin, e hedhim tek ena për t’u zier, në një zjarr të ngadaltë në një temperaturë jo me mbi 150 gradë. Dhe pasi të avullojë alkooli, në fund mbetet vetëm vaji i kanabisit”, procesi zgjat 2 orë dhe pasi të ftohet është gati për përdorim”, na shpjegon personazhi

Ai rrëfen për Top Story mënyrën si përgatitet vaji i kanabisit, por edhe frikën e pasigurinë që e shoqëron gjatë gjithë kohës.

“Tani janë bërë gati 7 vjet, e kam filluar në moshë të vogël për arsye ekonomike, e shpërndajmë në të gjithë Shqipërinë por normalisht ka dhe në shtetet fqinje. Me miq me të njohur, me kontakte sepse kemi shumë vite që e bëjmë dhe klientët e dinë. Ne nuk punojmë me sasi të vogla, kjo është sa për ta treguar se kushdo mund ta bëjë në shtëpinë e vet. Si çdo gjë e jashtëligjshme nuk vjen me çmim të ulët, çdokush që merret me këto punë e di se ça po rrezikon por duhet ta bëjmë”, tregon personazhi.