Vajza e Navalnyt pranon çmimin “Saharov” për të atin: Mirënjohje ndaj aktiviteteve të babait tim

E bija e opozitarit rus Alexei Navalny, i cili ndodhet në burg, ka marrë çmimin “Saharov”, mirënjohjen më të lartë të Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut në emër të tij gjatë një ceremonie në Strasburg.
Daria Navalny e mori çmimin në Parlamentin Europian më 15 dhjetor disa muaj pasi babai i saj, njëri prej kundërshtarëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin përfundoi në burg pas një rasti i cili konsiderohet politikisht i motivuar.
E bija e opozitarit rus e quajti çmimin “mirënjohje ndaj aktiviteteve të babait dhe punës të cilën po e bëjnë bashkëpunëtorët e tij tani”.
Ligjvënësit europianë më 20 tetor e zgjodhën Navalnyn si fitues për këtë vit për lirinë e shprehjes, duke thënë se “me dinjitet udhëhoqi fushatën kundër korrupsionit dhe regjimit të Putinit”.
E çmimin për të, opozitari rus ua dedikoi “të gjithë luftëtarëve të korrupsionit kudo në botë”.
45-vjeçari u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Moskë pasi po shërohej në Berlin nga helmimi që disa laboratorë në Perëndim konstatuan se vinte nga një agjent nervor i nivelit ushtarak.
Navalny pohonte se helmimin e urdhëroi direkt presidenti rus, Vladimir Putin gjë të cilën Kremlini e mohon. Bashkimi Europian më pas vendosi sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij.