19:10 / E Martë, 27 Shkurt 2024 / k.v

Vajzat U17/ Kosova pëson humbje nga Islanda, rikthehet në Ligën B

Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit A2 për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Suedia 2024”.

Të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit, pas paraqitjes shumë të mirë kundër Portugalisë (0:1), e cila doli fituese e grupit dhe u kualifikua në Evropian, të martën, kanë pësuar humbje të thellë ndaj Islandës, me shifrat 4:0, ballafaqim ky i cili vendosi se cila prej këtyre dy ekipeve do të bie në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues.

Thelma Karen Palmadottir kaloi Islandën në epërsi në minutën e 11-të. Me shifrat 0:1 skuadrat shkuan në pushim, por në pjesën e dytë islandezet shfrytëzuan hapësirat e krijuara në mbrojtjen e Kosovës, e cila ishte në kërkim të golit të barazimit dhe si rrjedhojë shënoi edhe tre gola tjerë.

Ragnheibur Porunn Jonsdottir shënoi në minutën e 59-të për 2:0, derisa më pas Hrefna Jonsdottir realizoi edhe dy gola tjerë (76′, 87′) për rezultatin përfundimtar 4:0.