Vaki kosovare, pretendohet se futbollisti i Suharekës ka tetë vite që luan në Kosovë i paregjistruar në sistemin TMS

Futbollisti i Suharekës, Yll Hoxha nuk është përfshirë në formacionin zyrtar të ndeshjes së sotme kundër Gjilanit.
Sipas asaj që raporton gazetari Lorik Gashi, Hoxha mungon për shkak të mos regjistrimit në sistemin ndërkombëtar të transferimeve, TMS, shkruan IndeksOnline.
Sipas tij, Hoxha në këtë sistem është i regjistruar te skuadra e Kukësit aty ku luajti në stinorin 2012/13.
Hoxha ka tetë vite që është rikthyer në Kosovë, dhe nëse nuk është i regjistruar në sistemin TMS, nuk ka pasur të drejtë të luaj për skuadrat kosovare.
Nga viti 2017, Yll Hoxha u bashkua me Feronikelin dhe u largua në vitin 2021 në drejtim të Gjilanit, ndërsa nga sezonin 2023/24 është pjesë e Suharekës.
Kujtojmë që hiq më pak se javën e kaluar, Ballkani ka parashtruar ankesë ndaj futbollistit të Feronikelit ’74, Lavdim Zumberi, i cili nuk ishte i regjistruar në këtë sistem, edhe pse u transferua në muajin tetor të vitit të kaluar dhe luajti 10 ndeshje me skuadrën nga Drenasi.
Si përfundim, Ballkani e fitoi ndeshjen në tavolinë, me rezultat 3-0./IndeksOnline/
